Admir Murataj ka përdorur plot 13 identitete për t’iu shmangur drejtësisë shqiptare dhe asaj greke. Ai zotëronte edhe një pasaportë false greke me identitetin Christos Papadias.
Krahas këtij identiteti, Admir Murataj përdorte edhe identitetet të cilat po i rendisim më poshtë:
– Kristaq Murataj
– Admir Murati
– Kristaq Murati
– Admir Murataz
– Kristaq Murataz
– Admir Xhaferi
– Kristaq Xhaferi
– Admir Nikaj
– Kristaq Nikaj
– Xhafer Nikaj
– Kristaq Azemi
Në Shqipëri, ai rezultonte në kërkim me identitetet Nikaj dhe Murataj, kurse me të tjerat në shtetin grek. Admir Murataj ka qenë në kërkim edhe në Greqi për disa ngjarje kriminale, për grabitje bankash e bankomatesh me vlerë 2 milionë Euro, për vrasje dhe për arratisje nga burgu i Trikalas në vitin 2013 së bashku me 10 persona të tjerë.
Më datë 9 Prill 2019, Admir Murataj mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policisë, gjatë tentativës për t’u arratisur pas grabitjes së miliona Eurove të bankave nga aeroporti i Rinasit, të cilat do të transportoheshin drejt Austrisë. Kurse bashkëpunëtorët e Muratajt mundën të arratiseshin dhe janë në kërkim.
E SHKUARA E ADMIR MURATAJT NË GREQI
31 Dhjetor 2012 – Një bandë shqiptarësh sulmuan një pikë karburanti në fshatin Neo Monastiri Fthiotidas. Pjesë e bandës ishte edhe Admir Murataj. Banda kërcënoi me armë rojen 45-vjeçar të karburantit. Por kamerat e sigurisë treguan se 45-vjeçari kishte bërë rezistencë. Admir Murataj qëlloi me 3 plumba kallashnikovi rojen, duke e lënë të vdekur. Nga pika e karburantit, banda e shqiptarëve mori 3 mijë Euro.
Janar 2013 – Arrestohen në Athinë Admir Murataj dhe Klement Çala (banda e kallashnikovit). Të dy kanë qenë të përfshirë në grabitje të 9 bankave, banesave, makinave etj., duke përfituar 2 milionë Euro. Në 6 raste ishin vjedhur bankomate në zona të ndryshme të Athinës, të cilat ishin shpërthyer me eksploziv.
22 Mars 2013- 11 persona arratisen nga burgu i Trikalas. Bëhet fjalë për bandën e Marjan Kolës, mes të cilëve ishte edhe Admir Murataj. Pasi prenë hekurat, të burgosurit u ngjitën mbi çatinë e burgut. Ndërsa bashkëpunëtorët e tyre në anën e jashtme të murit rrethues, qëlluan ndaj rojeve të burgut dhe plagosën dy prej tyre. Tetë ditë më vonë, banda grabiti një restorant në autostradën e vjetër Athinë – Thivas. Gjatë ndjekjes nga policia, pati shkëmbim zjarri dhe mbeti e plagosur një vajzë 25-vjeçare.
16 Maj 2013 – Admir Murataj dhe bashkëpunëtor i tij (Klement Çala) grabisin 1.2 milion Euro në Bankën Kombëtare në Lamia. Paratë nuk u gjetën kurrë.
Maj 2013 – Në lagjen Peristeri të Athinës, Admir Murataj gjatë tentativës për të grabitur një supermarket, i shpëton aksionit të policisë për ta arrestuar. Në pranga bie bashkëpunëtori i tij Ermal Lita, i arratisur edhe ky nga burgu i Trikalas.
17 Qershor 2013 – Autoritetet greke ranë në gjurmët e të arratisurve në zonën e Fthiotidas. Banda ishte ndarë në dy grupe. Grupi i parë përbëhej nga tre persona. Gjatë kërkimeve, pati sërish përleshje me armë zjarri dhe mbeti i vrarë oficeri i policisë Giorgos Andricopulos. Ndjekja vazhdoi në malin Thermo në një zonë rurale. Aty përleshje të ashpër mes bandës së Marjan Kolës dhe forcave speciale greke. Nga të shtënat u vranë dy prej të arratisurve, të cilët ishin të përfshirë në vrasjen e policit grek. Fillimisht u dyshua se njëri prej tyre ishte Admir Murataj, por rezultoi e gabuar.