Nga Gazmend Kapllani*
Sapo kishte vdekur Enver Hoxha dhe gjithë populli ishte i detyruar të shkonte të bënte homazhe para varrit të Udhëheqësit të Përjetshëm, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Shkoi edhe kushërira e fatorinos bashkë me kolektivin e punës – ajo punonte në një uzinë, ndërtuar madje nga kinezët.
Atë ditë e kishte kapur një e ftohur e keqe, por s’bëhej fjalë që të mos shkonte: tërë Shqipëria ishte shpërngulur në Tiranë dhe njerëzit udhëtonin edhe varur në dyert e vagonëve të trenave tanë kinezë.
Para detyrës për t’i bërë nderet e duhur Udhëheqësit të Përjetshëm, e ftohura konsiderohej një dobësi e papërfillshme borgjeze.
Kushërira e fatorinos e kuptonte se s’duhej të manifestonte dobësi të tilla ato ditë.
Dhe kështu u nis drejt varrit të Udhëheqësit.
Priti radhën e gjatë e të pafund, kushedi sa e sa orë, dhe kur u gjend para varrit, u ul në gjunjë si gjithë të tjerët që ta vajtonte Udhëheqësin, të psherëtinte nga vaji dhe të puthte mermerin e ftohtë që e mbulonte.
Por, teksa sforcohej të nxirrte rënkimin e vajtimit, i shpëtoi një pordhë dhe per fat të keq qe edhe boll e zhurmshme, saqë u dëgjua nga dy persona të tjerë, anëtarë të të njëjtit kolektivi pune, që prisnin në radhë për të vajtuar pas saj.
Kur mbaroi çdo gjë, këta të dy shkuan e raportuan te sekretari i Partisë së uzinës.
Ky i fundit për shkak të ditëve që përjetonte vendi, mendoi se s’duhej humbur një rast i tillë dhe mblodhi menjëherë kolektivin.
Kushërira e shkrete u thirr zyrtarisht që të vërtetonte se pordha që lëshoi para varrit të Udhëheqësit, s’fshihte ndonjë qëllim armiqësor apo ndonjë plan sekret kundër Partisë.
Sekretari, nga ana e tij, ishte bërë tym dhe deklaronte se armiku përdorte të gjitha metodat e mundshme për të fyer dhe cenuar kujtimin e përjetshëm të shokut Enver Hoxha.
E keqja ishte se sekretari nuk e la me aq sepse, pasi kishte kërkuar në mënyrë maniake në biografinë e pordhë-lëshueses, gjeti se gjyshi i burrit të saj kishte qenë i dënuar nga Partia pas çlirimit. Kaq ishte.
Si mund të provonte tani kushërira e fatorinos se pordha që i kishte shpëtuar para varrit të Udhëheqësit pas vdekjes së këtij të fundit, s’kishte asnjë lidhje me ekzekutimin e gjyshit të burrit të saj pas çlirimit?
Nuk kishte burrë nëne që të mund të vërtetonte se dy ngjarjet nuk lidheshin mes tyre.
Dhe ndërsa pordhë-lëshuesja mundohej të vërtetonte të pavërtetueshmen, sekretari i Partisë përsëriste gjatë gjithë kohës parrullën: “Uji fle, armiku s’fle!”
Si pasojë, ajo u dënua, humbi punën dhe u internua në një fshat që të mësonte duke u rropatur nëpër ara, dashurinë e vërtetë për Udhëheqësin”
*Marrë nga libri “Ditar i Shkurter Kufijsh” (sh.b. Nerajda)