Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, është arrestuar ditën e sotme nga policia britanike në Ambasadën e Ekuadorit.
Mediat e huaja shkruajnë se aktualisht, Assange ndodhet në paraburgim në një komisariat të policisë në Londër. Ai do të qëndrojë aty përpara se të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno tha se e tërhoqi mbrapsht azilin politik të z. Assange pasi ai theu në mënyrë të vazhdueshme ligjet ndërkombëtare.
“Në një vend sovran, Ekuadori tërhoqi statusin e azilit nga Julian Assange pas shkeljeve të tij të përsëritura ndaj konventave ndërkombëtare dhe protokolleve të jetës së përditshme”, shkroi në “Twitter” Moreno.
Ndërkohë “Wikileaks” shkruan se, Ekuadori ka vepruar në mënyrë të paligjshme për përfundimin e azilit politik të Assange, në kundërshtim me të drejtat ndërkombëtare.
47-vjeçari kishte refuzuar të largohej nga ambasada, sepse sipas tij ai mund të ekstradohej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u marrë në pyetje lidhur me aktivitetet e “Wikileaks”.