DASH: Kosova e rrethuar nga korrupsioni

Aktualitet Kryesore Rajon/Botë

Kosova po ngec si pasojë e korrupsionit dhe dhunës ndaj gazetarëve e pakicave, ka thënë ambasadori i  SHBA-së në Kosovë Philip Kossnet duke komentuar raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

“Një hap përpara i ndërmarrë ishte miratimi i Kodit të rishikuar Penal. Kosova vazhdon të ngec si pasojë e korrupsionit, sulmeve ndaj gazetarëve, dëbimit të shtetasve të huaj pa proces të rregullt gjyqësor dhe dhunës ndaj pakicave”, ka shkruar Kossnet në Twitter.

Në raportin e DASH-it për të drejtat e njeriut në botë në vitin 2018, në pjesën për Kosovën përmenden korrupsioni endemik në qeveri, dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara.

Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri tha se do të ndërmarrin hapa konkret pas këtij raporti.

Raporti thekson edhe rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova, pasi siç thuhet, ata janë kërkuar “nën akuza të paqarta”. Ndërsa përmenden shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të AKI-së nga Kryeministri pas këtij rasti.

Sipas kryetarit të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Faton Topalli, për rastin e dëbimit të shtetasve turq ka pasur shkelje drastike të të drejtave të njeriut.

Ditë më parë ambasada e Britanisë dhe ajo e Gjermanisë i kanë dhënë mbështetje deklaratës së SHBA-së për vërejtjen që ka dhënë shteti amerikan ndaj institucioneve të Kosovës për dëbimin e 6 shtetasve turq, të njohur si gylenistë, vitin e kaluar.

Share: