Sekuestrohen pronat e Arben Ndokës, Prokuroria bllokon pasuritë me vlerë 40 milionë euro

Aktualitet Kronikë Kryesore

Prokuroria e Krimeve të Rënda vë në sekuestro pronat e ish deputetit socialist Arben Ndoka, si dhe të familjarëve të tij.

Burime nga organi i akuzës konfirmojnë për Vizion Plus se në kuadër të hetimit të nisur në vitin 2016 për dosjen e cilësuar tashmë si “339”, janë sekuestruar 300 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Lezhës, dhe konkretisht në vendin e quajtur Mali i Rrenzit, Shëngjin, Rana e Hedhur, Laguna e Lezhës, si dhe disa apartamente në plazh.

Mësohet se pronat e sekuestruara kapin vlerën e rreth 40 milionë euro.

Sipas prokurorisë, kjo sipërfaqe toke, e gjitha në bregdet është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme e duke falsifikuar dokumentat.

Dy prokurorët që vendosën për sekuestron e kësaj pasurie janë Vladimir Mara e Dritan Prençi, ndërsa në kuadër të këtij hetimi janë firmosur edhe disa urdhra të tjerë arresti.

Ish- deputeti, si dhe familjarë të tij u arrestuan muaj më parë në kuadër të operacionit Volvo 4.

Ndërsa tashmë me vendim gjykate Arben Ndoka ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Në operacionin “Volvo 4” u goditën 4 grupe kriminale, mes të cilëve edhe ata të fisit Avdylaj në Shijak, si dhe ish- drejtori i burgjeve, Arben Çuko.

Share: