Stafi i koncesionarit “TIA” dhe i shoqërisë “ICTS Albania” që është ngarkuar për të siguruar rendin dhe qetësinë e aeroportit “Nënë Tereza” rezulton të mos ketë bashkëpunuar në kohë më Policinë e Shtetit. Kjo pasi gjatë analizimit të kamerave filmike ka dalë qartë se operatorët e sallës së monitorimit të kamerave nuk kanë dhënë në kohë alarmin, duke mos raportuar në kohë efektivët e policisë që ndodheshin shumë afër.
Kamerat e sigurisë së aeroportit kanë filmuar gjithçka, por ajo që çedoi dhe që ngjall vërtetë dyshime për abuzim me detyrën është faktori njerëzor që nuk ka bërë detyrën ashtu siç duhet, duke mos raportuar në kohë ngjarjen. Sipas burimeve të policisë komandoja e grabitësve e përbërë nga katër vetë dhe e maskuar me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve” dhe “Hetimi Tatimor” është filmuar në çdo veprim që grabitësit kanë kryer. Por, çuditërisht monitoruesit e kamerave nuk kanë raportuar situatën e pakëndshme, që po zhvillohej tek njëra nga dyert e emergjencës, nga e cila futesh në pistën e avionëve. Tropojani Admir Murataj së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij, janë filmuar duke tërhequr zvarrë me furgon barrierën e betonit, që bllokonte kalimin.