Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka replikuar me deputetin e LSI-së, Ralf Gjoni, për dorëheqjen e tij, pas ngjarjes së rëndë të vjedhjes së Aeroportit të Rinasit.
Lleshaj ka thënë se nuk ka luftuar asnjëherë për ta patur postin e Ministrit të Brendshëm dhe se nuk ka asnjë brengë për ta lënë atë. Ai ka thënë se do të largohet nga ky post kur ta gjykojë ai.
“Me qe më përmende dorëheqjen. S’kam luftuar asnjë ditë për të patur këtë post dhe s’kam asnjë brengë për ta lënë këtë post. Por atë e gjykoj unë. Momentin se kur do ta marrë atë vendim do ta gjykoj unë”, ka thënë Lleshaj.
Ministri i Brendshëm ka folur për dhe për grabitjen në Rinas teksa ka kërkuar që të mos kalohet në një situatë histerie kolektive.
“Unë them të mos kalojmë në një situatë histerie kolektive për një situatë që mund të adresohet në mënyrën më të drejtë dhe kushtetuese. Kam kënaqësi që të njoftoj qytetarët dhe operatorët e biznesit se aeroporti është vendosur në parametrat më maksimale të sigurisë, do të vazhdojë puna e organeve ligjzbatuese për të luftuar krimin e organizuar dhe që është lufta që do na hapë derën e BE-së”, ka thënë Lleshaj.