Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur të marrë të pandehur për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
Pas seancës, Tahiri foli për mediat.
Ky i fundit u shpreh se ka kërkuar që gjykimi të mos zvarritet, por të bëhet drejtësi.
Tahiri tha se ka vendosur të flasë për procesin.
“Tani shkojmë në gjykim.
Ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë.
Nuk dua të merrem me llojin e akuzës, kam referzuar gjithmonë të komentoj drejtësinë, prokurorinë apo gjykatën, nuk do ta bëj as tani në respekt të një sistemi në të cilin kam kontribuar edhe unë.
Kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund.
Prokuroria ka pretendimet e saj, unë kam shumë më shumë për të pretenduar se Prokuroria, nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht.
Saktësoni që unë vazhdoj dhe do vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar që në fillim, që nuk kam pikën e lidhjes me këtë cështje.
Atë që verifikoi gjykata italiane, prokurorët pretendojnë që vendimi i Italisë, mendojnë ndryshe, është cështje e tyre.
Drejtësia prandaj është e bukur se nuk bën gjithmonë drejtësi, por në ato pak raste që bën drejtësi, ja vlen”, tha Tahiri.
“Nuk jam ndonjë hero i heshtur, por di të them që realisht më vjen keq për njerëzit që vuajnë nga ky sistem drejtësie dhe nuk flasin dot përpara jush.
Unë i kërkova prokurorisë të bëjë një akuzë të saktë dhe të qartë.
Prokuroria duhet të tregonte cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Prokuroria nuk u përgjigj.
Sot dhe tutje do të flas edhe unë. Në Gjykatë dhe për publikun.
Nuk mund të jetë më një proces ku provat e ashtuquajtura trafikohen…
Unë di t’ju them që ky proces i ka kapërcyer kufijtë e një maskarade.
Unë nuk mërzitem dhe nuk më shqetëson asgjë nga këto. Them që do t’ia dal!
E dyshoj shumë fort që ky është sistemi i drejtësisë për të cilën unë luftova. Por gjithsesi mbetet për t’u parë.
E gjitha është një absurditet. Unë i drejtohem Prokurorisë dhe Gjykatës të më thonë se ku kam shkelur ligjin dhe nuk më thonë asgjë”, vijoi ai.
“Në këtë vend, për 25 vite kanë qeverisur njerëz që kanë vjedhur dhe kanë vrarë, ndërsa unë as nuk kam vjedhur dhe as nuk kam vrarë ndonjë.
Do t’ia dal deri në fund. Unë jam prapë ministri kampion, se gjithçka kam bërë për policinë nuk e kthej mbrapsht”, tha Tahiri.