Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkon Qeverisë dhe Parlamentit një pallat për ushtrimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme si dhe rritjen e pagave apo shpërblimit për prokurorët e posaçëm, për shkak detyrës së rëndësishme, të veçantë dhe të vështirë.
Kërkesat janë artikuluar nga anëtarët e KLP, gjatë mbledhjes së fundit, zhvilluar në 6 shkurt 2019.
Gjatë diskutimeve të zbardhura nga Shqiptarja.com, anëtari Kostaq Beluri ka propozuar që të kërkohet rritja e financave për SPAK-un, me qëllim për të nxitur prokurorët që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme.
Në një linjë me Kostaq Belurin ishte dhe anëtarja Antoneta Sevdari, e cila u shpreh se diferenca në pagë mes prokurorit të Prokurorisë së Posaçme dhe prokurorëve të tjerë është vetëm 7 mijë lekë, shumë që zonja Sevdari e konsideroi qesharake.
Sipas saj, nuk mund të kenë shpërblim të barabartë mes një prokurori të SPAK-ut me një prokurori që heton veprat penale të drejtimit të automjetit në gjendje të dehur.
Anëtari Tartar Bazaj ka propozuar që Këshilli i Lartë i Prokurorisë t’i kërkojë qeverisë ndërtimin e një pallati vetëm për prokurorët e SPAK-ut dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, që në rastin konkret do të jenë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Pothuajse të gjithë anëtarët e KLP i kanë mbështetur këto propozime.
Kështu, kreu i KLP, Gent Ibrahimi, ka propozuar hartimin e një amendamenti për ndryshimin e ligjit të SPAK.
Nisma do t’i propozohet Kuvendit. Meqenëse ndryshimi i ligjit të SPAK kërkon të paktën 84 vota, Ibrahimi është shprehur se Kuvendi mund të veprojë si në rastin kur shpërbleu anëtarët e Vetingut.