KUNDËR ISMAIL QEMAL BEUT

Histori

Kaq e ashpër ishte gjatë gjithë kohës lufta e Komitetit “Bashkim dhe Përparim” kundër Ismail beut, saqë atij i duhej të largohej nga Stambolli në periudhën ndërmjet seancave, atëherë kur nuk ishte i mbrojtur nga imuniteti parlamentar, për t’i shpëtuar ndonjë arrestimi të mundshëm.
Në fillim të periudhës elektorale, Ismail Qemal beu ndodhej në Korfuz. Qeveria turke mendoi në fillim ta arrestonte në Vlorë, në çastin kur do zbarkonte për të bërë vizita në zonën e tij elektorale. Por meqenëse kjo sipërmarrje sillte me vete rreziqe, në mes të një popullate të përkushtuar ndaj kreut liberal, u morën parasysh disa projekte të tjera. Në çastin kur Ismail Qemal beu po bëhej gati të kalonte nga Korfuzi në kontinent, kajmekami i Vlorës mori një telegram të shifruar përmbajtja e të cilit mund të përmblidhet pak a shumë kështu: “Kadiu do të lëshojë një urdhër arresti ku deklarohet se Ismail Qemal beu është i çekuilibruar dhe i paaftë të menaxhojë pasurinë e vet. Si rrjedhim, menjëherë pasi të zbarkojë, do të vihet nën kujdestari”.
Sapo mori këtë urdhër, kajmekami pati disa bashkëbisedime me kadiun dhe njerëz të tjerë. Megjithatë, atyre ky propozim iu duk i pazbatueshëm. U mendua atëherë ta shpallnin Ismail Qemal beun myfliz, në gjendje falimentimi – sikur kinse i detyrohej Thesarit 90 mijë piastra taksa të prapambetura, me qëllim që mbi të të zbatohej dispozita ligjore që i zhvesh të gjithë të falimentuarit prej të drejtave të tyre politike. Megjithatë, u hoq dorë edhe nga ky propozim për të mos rënë pre e dhunës dhe presioneve.
Mytesarifi i Beratit ishte lëvizur në Elbasan, si dhe qe ulur në pozitë sepse refuzonte t’u kundërvihej kandidaturave të Ismail beut dhe Aziz beut.
Meqenëse bastioni i partisë së Qemal beut ishte Vlora, dy ose tri ditë para zgjedhjeve të raundit të parë nisën ta “spastronin” këshillin vendor të Vlorës. Dy udhëheqës të partisë së Ismail Qemalit – Elmas efendiu dhe Adem beu u zëvendësuan në mënyrë të paligjshme me dy krijesa të Syrja bej Vlorës, një nga dy kandidatët e “Bashkimit dhe Përparimit” për deputet. Pas kësaj, komisioni zgjedhor, duke mos ia pasur frikën pranisë së ndonjë përfaqësuesi të opozitës, pati mundësi – në liri të plotë – të vazhdonte me falsifikimin e votimeve.
Listat zgjedhore u hoqën menjëherë pak pas afishimit, me urdhër të kryebashkiakut të Vlorës, për të parandaluar kontrollin (aty kishin futur edhe një numër të madh ushtarësh) dhe për të përjashtuar gjatë votimit – siç bënë shumë herë – mbështetësit e I. Qemalit, duke deklaruar se ata nuk ishin nëpër lista.
Numri i delegatëve për sanxhakun e Vlorës ishte 21, sipas përqindjes së popullsisë. I shpunë deri në 25, për të rritur kështu numrin e votave në favor të Syrja beut.
U dërguan trupa nga Tepelena dhe nga Himara, përveç 324 burrave që gjendeshin të mbledhur tashmë në Vlorë. Ditën e zgjedhjeve të raundit të parë (22 mars/4 prill) qyteti u pushtua ushtarakisht. 40 ushtarë, me bajonetat në grykë të pushkëve u vendosën para bashkisë dhe nuk linin të kalonte askënd që nuk premtonte ta jepte votën për kandidatët e Syrjasë. Ca përmbarues bashkiakë u vinin në dorë analfabetëve fletë votimi në emër të këtyre kandidatëve dhe dhe i shoqëronin deri në sallat e votimit. Para kutive, avokati i Syrejasë, Bezet efendiu kryente funksionet e sekretarit publik; cilado që të ishte zgjedhja e elektoratit, ai shkruante emrat e delegatëve progresistë. Komandanti i atyshëm votoi në bllok për të gjithë oficerët, 17 në numër, duke hedhur në kuti një pako me fletë votimi.
Kryetari i bashkisë deklaroi se regjistrimi i ushtarëve në listat e votimit ishte bërë me urdhër të këshillit të ministrave.
Në prag të zgjedhjeve të raundit të dytë, pati një përpjekje për të arrestuar delegatin e Artës dhe një delegat të seksionit të Kuçit, pasi ishin mbështetës të I. Qemalit.

Marrë nga: “Les elections en Turquie : comment le gouvernement Ottoman a falsifié le scrutin”. Le Caire, 1912.

Përgatitur nga Edion Petriti

Share: