Grabitja e rreth 10 milion eurove në Aeroportin e Rinasit ditën e sotme ka nxjerrë në pah skandalin me sugurinë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë.
Ky është rasti i tretë që shuma të mëdha parash grabiten brena perimetrit të aeroportit, megjithatë siguria mbetet në nivelin më të ulët.
Mësohet se grabitësit kanë qenë katër persona me uniforma ushtarake të cilët ndodheshin brenda një furgoni me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Rreth orës 15:05 autorët kanë shpërthyer derën e rrethimit të pistës së aeroportit duke e përplasur me furgon dhe më pas i janë drejtuar aeroplanit ku po kryhej ngarkimi i parave.
Raportohet se grabitja ka ndodhur në brendësi të aeroplanit me pasagjerë civilë, por ka të ngjarë që të ketë ndodhur në pjesën e poshtme të tij.
Duke kërcënuar me armë rojet e kompanisë së sigurisë “Nazeri”, autorët e maskuar kanë arritur të rrëmbejnë rreth 10 milion euro të disa bankave të nivelit të dytë, para që po dërgoheshin në Vjenë, Austri. Autorët i kanë vendosur armët në kokë rojeve të kompanisë private, dhe kanë hyrë në barkun e avionit nga ku kanë marrë thasët me para.
Ata kanë tentuar të largohen por në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Rreth 1 kilometër larg vendngjarjes ka patur edhe shkëmbim zjarri. Autorët kanë hedhur një granatë në drejtim të forcave të policisë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë një prej grabitësve, ndërsa tre të tjerët janë larguar me shumën e madhe të parave.
Pak minuta më pas, në vendin e quajtur “Ura e Bratit” raportohet se është gjetur një makinë e djegur që dyshohet se i përket autorëve.