‘LUFTË’ ME KALLASHNIKOV: GRABITËSIT E ARMATOSUR RËNDË I HODHËN GRANATË POLICISË. SI NDODHI PËRPLASJA

Kronikë

Shkëmbimi i zjarrit mes 4 grabitësve të 10 milion eurove në Rinas mund të krahasohet me një skenë lufte.

Autorët kanë qenë të veshur me uniforma ushtarake dhe të armatosur me kallashnikov, granata dore dhe tymuese.

Pasi çanë rrethimin e aeroportit, ata rrëmbyen rreth 10 milion euro nga aeroplani në pistë, por teksa tentuan të largoheshin në ndjekie të tyre u vunë forcat e FNSH-së dhe rojet e aeroportit.

Rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes, autorët hapën zjarr ndaj policisë, ndërsa raportohet se ata hodhën edhe një granatë në drejtim të uniformave blu.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit një plumb e ka zënë në kokë një prej autorëve duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Trupi i pajetë ka mbetur për disa kohë në vendin ne ngjarjes me armë në dorë, ndërsa tre personat e tjerë janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës.

Më pas trupi është transportuar drejt morgut të Tiranës ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës si dhe të identifikohet. Paraprakisht dyshohet se autorët janë të moshës së re, nga 20 në 30 vjeç.

Ata kanë lënë mjaftueshëm prova në vendin e ngjarjes si dhe brenda furgonit të përdorur për grabitje, çka mund të çojë në identifikimin e shpejtë nga forcat policore.

Share: