“Kadrinj e gjobaxhinj” Rakipi kundër padit Ramën për cënim imazhi

Aktualitet Kryesore Politikë

Termat e kryeministrit ndaj analistëve e gazetarëve në vend, si ‘kadrinj’ e ‘gjobaxhi’  do të kenë një tjetër përballje. Pas replikave në distancë, ku Rama nuk lë rast pa i përmendur, ne aktivitetet e tij, e gazetarët më pas i përgjigjen nga studiot e emisioneve, këtë herë përballja duket se do të jetë në gjykatë.

Pas kryeministrit, është gazetari Ylli Rakipi, i emisionit “Të paekspozuarit” që ka ngritur një kundër padi ndaj kreut të qeverisë, për cënim të imazhit. Në një prononcim për mediat, pas dorëzimit të padisë, Gazetari Rakipi akuzoi kryeministrin Rama si një diktator që fyen e shan gazetarët.

“Ky gjyq është politik. Është një përpjekje e vazhdueshme e kryeministrit Rama që unë të mbyll emisionin, t’i vër fre emisionit ‘Të paekspozuarit’, emision që ka goditur aferat korruptive, që ka goditur koncesionet apo ata që Rama i quan PPP. Në këtë pikëpamje, unë dua t’ju them ju, që kjo është një padi e ngritur nga vetë regjimi, ky është një regjim.

Është një regjim që ndryshon në formë. Nuk kemi më regjime të Adolf Hitlerit apo regjimet e Enver Hoxhës. Regjimet e reja janë kur ato të privojnë të gjitha liritë, janë regjime kur nuk mundesh të bësh asgjë. Liri do të thotë të mundesh, demokraci do të thotë të mundesh.

Ky është një një njeri që i ka vënë fre gjithçkaje, që përpiqet të ketë nën kontroll gjithçka, që blen mediat dhe ka kontroll në të gjitha pushtetet e vendit, përfshirë këtu edhe pushtetin e katërt. Prandaj, unë dua t’ju them që kundër-padia që i kam bërë Ramës, kur të vijojë procesi gjyqësor, ai të vijojë me dyer të hapura dhe gazetarët ta ndjekin atë si proces ku ne do të shohim se kush është njeriu që fyen dinjitetin dhe personalitetin e njerëzve që në këtë rast, në këtë rol është kryeministri Edi Rama.

Unë besoj se në atë padi që ka bërë Rama për mua, vetëm ndonjë gjykatë e Rexhep Tajip Erdoganit mund të më dënojë. Unë jam i bindur në drejtësinë e gjykatës, sado probleme që kanë sot gjyqtarët shqiptarë, të vënë përballë presioneve të vettingut apo presioneve të tjera të qeverisë Rama, sikundërse pushtetit tonë. Unë besoj se ka njerëz të ndershëm, por ka dhe njerëz që nuk mund të japin verdikte të gabuara në procesin, që ju do ta ndiqni.

Media ka problemet e veta të panumërta, por kryeministri nuk është rregullator i saj. Përndryshe ai është një diktator. Nuk është kryeministri ai që rregullon median, nuk është kryeministri ai që duhet të kontrollojë dhe ta vërë nën pushtetin e vet të fortë median. Edi Rama është një diktator i tipit të ri, amrikano-latin, i tipit të Putinit, të Erdoganit. Nuk ka asnjë ndryshim me ta”, tha gazetari Ylli Rakipi.

Share: