Analisti politik Fatos Lubonja i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” i pyetur për vizitën e ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit, Matthew Palmer në Shqipëri, tha se ndërkombëtarët duan kompromise sesa ndryshim sistemi.
“Vizitën e Palmer e shoh si rutinë. Ndërkombëtarët duan më shumë kompromise mes palëve sesa ndryshim sistemi. Palmer nuk është nisur nga Amerika për të zgjidhur krizën në Shqipëri. Ai sa di unë bën disa vizita në vendet e rajonit. Palmer do të bëjë thirrje për mirëkuptim, për dialog. Mirëpo kjo nuk e zgjidh situatën. Ndërkombëtarët duan çadër për të mbuluar krizën dhe jo ndryshim sistemi”, tha Lubonja.
“Ky sistem, e kam thënë bazohet në vjedhje. Rama dhe Veliaj vjedhin, bashkëpunojnë me krimin. Krimi pastron paratë dhe shqiptarët ikin. Ka biznesmen në politikë. Ka pasur një ligj që i ndalonte biznesmenët në politikë, por këta s’duan t’ia dinë, kanë sjellë dhe më shumë. Rama dhe Veliaj ngjajnë si komunistët dikur. Bëj propagandë dhe nga ana tjetër bashkëpuno me krimin, ndërto e shkatërro dhe kështu sundojnë. E mbani mend Ramën kur ishte në opozitë? Thoshte ta kthejmë Shqipërinë në vend ku rron mirë shqiptari i ndershëm. Por sot kemi realitet se shqiptari i ndershëm ikën për fat të keq. Ky sistem duhet thyer nga vetë shqiptarët e ndershëm”, tha Lubonja.
Sa iu takon protestave të opozitës, Lubonja tha se ata duhet të jenë më masive ose më të fuqishme, në mënyrë që të kenë efekt.