Ministra e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka bërë publike sot sektorët dhe numrin e punonjësve që përfitojnë rritjen e pagave që ka hyrë në fuqi nga 1 prilli.
Denaj shkruan në “Facebook” se ky është një premtim i mbajtur i qeverisë, ndërsa në pjesën më të madhe rritja është 7%. Ata që përfitojnë rritjen më të madhe janë punonjësit e përfaqësive diplomatike.
STATUSI I DENAJ
“Rritja e Pagave në vitin 2019, një tjetër premtim i mbajtur i Qeverisë Shqiptare”.
Sikurse është bërë e ditur gjatë procesit të miratimit të Buxhetit 2019, punonjës të disa sektorëve të rëndësishëm do të përfitojnë rritje të qenësishme të nivelit të pagave të tyre.
-36 mijë mësues të Arsimit Parashkollor, Arsimit Bazë, Arsimit të Mesëm të Përgjithshëm dhe atij Profesional do përfitojnë rritje të pagës prej 7 %
– 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë dhe staf shëndetësor, një rritje prej 7 %
– 6,800 ushtarakë të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore në masën 7 %
– 3,560 punonjës të sistemit penitenciar (policia e burgjeve) të cilët përfitojnë një rritje mesatare të pagës mujore me 7%
– 308 punonjës të përfaqësive diplomatike jashtë vendit të cilët përfitojnë një rritje të diferencuar të pagës mujore që shkon nga 7-20%;
Në total, parashikohet që të përfitojnë mbi 65 mijë punonjës buxhetore, me një kosto vjetore në buxhetin e shtetit prej 3 miliardë lekë.
Qeveria Shqiptare mbetet e angazhuar për të vazhduar politikën e rritjes domethënëse të pagave në administratën publike, pasi e konsideron si një element kyç në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike ndaj qytetarëve.