Katër javë pas rrëzimit të avionit Boeing 737 Max të shoqërisë Ethiopian Airlines u publikua raporti i parë hetimor.
Pilotët i kanë respektuar të gjitha rregullat, aksidentin dyshohet se solli një gabim i software-it
Ekuipazhi i avionit Boeing 737 Max të rrëzuar në Etiopi, i ka respektuar të gjitha rregulloret e parashkruara, por nuk mund të vendoste dot nën kontroll avionin.
Këtë e konfirmon raporti i parë i ndërmjetëm hetimor mbi tragjedinë e avionit të rrëzuar më 10 Mars, bëri të ditur ministrja e Transportit në Addis Abeba, Dagmawit Moge.
Në tragjedinë e rrëzimit të avionit të shoqërisë etiopiane të fluturimit humbën jetën 157 vetë. Hetuesit kanë gjetur të dhëna se pjesa ballore e avionit ka pasur një shtypje, tha Dagmawit. Prodhuesi i avionëve duhet të kontrollojë sistemin e kontrollit të avionit.
Rrëzimi i avionit e vendosi nën presion të madh prodhuesin amerikan të avionëve, Boeing dhe Autoritetin Amerikan të Aviacionit, FAA.
Në fokus të kritikave ndodhet një software, i cili pas rrëzimit të të njëjtit tip avioni Boeing në Indonezi, ku humbën jetën 189 vetë, shihet si shkaku i tragjedisë. Boeing premtoi pas tragjedisë, se do të kryejë një ripunim të programit, por update-imi i tij ende nuk është kryer.
Deri në sqarimin e plotë të arsyes së aksidentit ajror janë vendosur në të gjithë botën ndalimfluturime për avionët e tipit 737 Max – avioni më i suksesshëm i shitur i Boeing. 370 avionët që kanë qenë në qarkullim tani qëndrojnë në pistë, ndërkohë që shumë porosi për avionin janë pezulluar.(DW)