Ambasadori Soreca: Politikanët duhet të ulen për zgjidhjen e krizës

Aktualitet Kryesore Politikë

Ambasadori I BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca thotë se është koha që palët të ulen në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur krizën politike.

I pyetur nga gazetari Lutfi Dervishi në emisionin “Përballë”, z. Soreca tha se edhe vendimi për të përfshirë ndërkombëtarët duhet të jetë rezultat I bisedimeve.

“Ka ardhur koha që aktorët politikë të Shqipërisë të ulen dhe të kuptojnë në mënyrë të pjekur situatën dhe të identifikojnë nëse është e nevojshme një ndërmjetësues me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, për të cilët Shqipëria është e rëndësishme”, tha ambasadori Soreca në RTSH.

Ambasadori i BE-së i drejtoi një thirrje edhe atyre që kanë zgjedhur të protestojnë.

“I ftojmë të gjitha palët dhe të gjithë ata që duan të dalin në protesta që ta bëjnë këtë pasi e drejta për t’u shprehur, për të protestuar është e drejtë.

Natyrisht duhet të ketë edhe për çfarë të protestohet, por ne nuk duam në asnjë mënyrë që të ketë dhunë, kjo është e patolerueshme”, u shpreh ambasadori Soreca në RTSH.

Soreca thotë se partitë politike nuk duhet të humbin më kohë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, pasi është e rëndësishme që zgjedhjet vendore të zhvillohen në datën e dekretuar nga presidenti.

“Është e rëndësishme që zgjedhjet të bëhen dhe natyrisht që unë mendoj që opozita duhet të marrë pjesë pasi këtë kërkojnë qytetarët që u kanë dhënë votën atyre për kaq shumë vite. Më lejoni po ashtu të them edhe një gjë tjetër. Është shumë e rëndësishme për BE-në që BE-ja ta dijë që sistemi politik në vend funksionon dhe që sistemi zgjedhor është pjesë e rëndësishme dhe përbërëse e tij.

Na duhet mekanizmi që mazhoranca të flasë me opozitën, për një opozitë brenda Parlamentit, sepse ajo opozitë është ende rezultat i votës së qytetarëve të Shqipërisë”, – tha ambasadori Soreca në RTSH.

Soreca tha se situate politike do të ndikoë edhe në vendimin e Këshillit Europian sa i përket vendimit për celjen e negociatave në qershor.

“Është koha për të reflektuar në mënyrë urgjente, për t’u ulur dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Nuk ka kohë për të humbur pasi duhet gjetur gjuha e përbashkët për arsye se datat i kemi shumë afër”, tha ambasadori Soreca në RTSH.

Ambasadori i BE-së komentoi edhe kushtin e opozitës për zgjedhje të parakohëshme.

“Ky kusht, për mendimin tonë përfaqëson një precedent të rrezikshëm. Ne nuk mund të kërkojmë që kjo gjë të ndodhë. Kjo mund të krijojë precedent për të ardhmen, por edhe për vendet e tjera.

Ne mendojmë që qeveria është legjitime, që Parlamenti është legjitim, por opozita tashmë ka dalë nga Parlamenti, prandaj propozimi për të pasur një platformë kombëtare, në të cilën të mund të bashkëbisedojnë të dyja palët dhe të gjejnë kompromis, më lejoni të them që kultura e kompromisit është një kulturë që ne e kemi mësuar në BE. Kultura e kompromisit është një kulturë që lejon që palët politike të ecin përpara”, – tha ambasadori Soreca në emisionin “Përballë”

Soreca vlerësoi ecurinë e reformës në drejtësi dhe nisjen e ngritjes së institucioneve të reja.

“Gjyqësori është aq afër thelbit, zemrës së një shteti dhe që ta heqësh zemrën dhe ta zëvendësosh atë me një zemër të re, ky lloj transplanti është një proces nga i cili rrjedh gjak dhe për këtë arsye duhet kohë, duhet kurajë, por edhe dhimbje”, u shpreh ambasadori.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, ambasadori i BE-së tha se pavarësisht operacionit “Forca e Ligjit”, ka ende punë për të bërë.

“Ne e shikojmë se krimi i organizuar është ende shumë aktiv në Shqipëri.Ministria e Brendshme dhe Prokuroria duhet të investojnë në aspektin afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë për trajnimet që të krijojnë kapacitetin e duhur në hetimin financiar”, tha ambasadori Soreca. (TVSH)

Share: