“Janë mbikëqyrur 1592 pozicione pune, nga të cilat janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligjit; janë evidentuar 357 raste, të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil, të institucioneve të mbikëqyrura, ku përfshihen emërime të kryera në kundërshtim me procedurat e rekrutimit, si dhe raste të nëpunësve ekzistues të cilët nuk plotësojnë kriterin e nivelit të diplomës së arsimit të lartë, ose nuk plotësojnë kriteret për pozicionin e punës ku janë të emëruar; si dhe 275 pozicione janë evidentuar të pa plotësuara” thuhet në raport.
Lidhur me këto raste nga ana e Komisionerit është urdhëruar që personat përgjegjës të rregullojnë pasojat e paligjshmërisë, duke filluar me ndërprerjen e marrëdhënies së punës dhe duke vijuar njëkohësisht me shpalljen e vendeve të lira dhe zhvillimin e rekrutimit, në përputhje me ligjin.
Largimet dhe gjyqet
Raporti i Komisionerit ndalet edhe në largimet nga shërbimi civil të cilat kanë përfunduar nëpër gjykata. Referuar shifrave një pjesë e mirë e atyre që janë shkarkuar duket se kanë rifituar të drejtën për t’u rikthyer në pozicionin që kanë pasur.
“Në institucionet e administratës shtetërore qendrore dhe ato të varësisë 32% (100 raste) e nëpunësve gjyqfitues, janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ndërsa 68% (209 raste) e tyre janë ende në pritje për t’u rikthyer në pozicione pune në shërbimin civil.
Ndërkohë, në institucionet e vetëqeverisjes vendore, në kategorinë e bashkive, në 61 institucione dhe 12 Këshillat e qarqeve janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 41% (62 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 59% (90 raste) e tyre janë ende në pritje për ekzekutimin e vendimit.
Në kategorinë e institucioneve që përfshijnë Këshillat e Qarqeve, gjendja paraqitet më mirë, pasi janë rikthyer në pozicione të rregullta të shërbimit civil, ose janë dëmshpërblyer 60% (38 raste) e nëpunësve gjyqfitues, ndërsa 40% e tyre janë ende në pritje të ekzekutimit të vendimit (25 raste)” thuhet në raport.
/ Monitor.al/