Nga Çapajev Gjokutaj
Sot është dita e gënjeshtrave. Më saktë është festa e gënjeshtrave. Një festë atipike, mbushur me çudira.
Çudia e parë: Festat janë për heronj, pavarësi, çlirim, për fillimin e vitit, për fëmijët, nënat, të dashuruarit etj etj. Por të ketë festë për gënjeshtrat, një nga dukuritë më të dënuara në marrdhëniet njerëzore, kjo tingëllon si gjëpogjë, më saktë ngjan si lajthitje.
Çudia e dytë: Dita e gëneshtrave s’i takon një populli, festohet thuajse në gjithë botën. Përhapja ndërkombtare dëshmon se nuk kemi të bëjmë me kapriço të rastit apo me lajthitje të një pakice, por me një pëlqim masiv; ka të ngjarë me një nevojë, një domosdo mbarënjerëzore.
Çudia e tretë: Sot shumica e festave gjallojnë e celebrohen masivisht, nga që lidhen me ngrënie, pirje, udhëtime dmth me konsum, me shitje e blerje. Dita e gënjeshtrave, hyn në të paktat festa që nuk kanë karakter komercial. E vetmja gjë që konsumojmë a, më saktë, harxhojmë janë të qeshurat, shakatë.
Po mbase të qeshurat e shakatë janë edhe më çmuara se mallrat, se hajet e se pijet. Thonë se ulin stresin, se krijojnë një atmosferë miqësore, aq të çmuar sidomos në kohën e sotme, kohë e nxitimit dhe e marrëdhenieve formale e të steriotipizuara deri në robotizim.
Gjithsesi dita e gënjeshtrave rrezikon të zbehet e të zhbëhet bashkë me çuditë e saj.
Lajmet e rreme, që po buisin çdo ditë e më shumë, po na i bëjnë gënjeshtrat të bezdishme, madje të padurueshme. Duke u ngopur deri në velje e neveri, njeriu rrezikon të heqë dorë dhe të mos ia lejojë vetes që t’u gëzohet rengjeve e gënjeshtrave të pafajshme të kësaj dite të qeshur prilli.