Evropa, duhet t’i braktisë traktatet e “çmendura” të Brukselit

Analizë Opinion

Nga Jean-Luc Melenchon

Duhet të ketë një alternativë, dhe duhet të jetë Evropa, përkundër asaj që e përshkroi Emanuel Makron javën e kaluar. Nëse ka nevojë për një rilindje, atëherë ajo le të jetë sovraniteti i popullit, i ndriçimit ndaj obskurantizmit të parave dhe të fesë.

Në Evropë ka ardhur koha të flasë e vetmja gjuhë e vërtetë ndërkombëtare, e aftë të motivojë popujt e ndryshëm në histori, gjuhë dhe kulturë. Është gjuha e së mirës së përbashkët, e mbrojtjes dhe zgjerimit të saj, të jetuarit së bashku, të rindërtimit pas 30 viteve të të drejtave të deformuara dhe shërbimeve publike, të konkurrencës së lirë.

Është një gjuhë që kërkon paqe, përballë provokimeve luftarake anti-ruse të NATO-s. Koha nuk pret, sepse jemi të kërcënuar nga një sistem prodhimi dhe shkëmbimi, që po shkatërron jo vetëm Tokën, por edhe qeniet njerëzore që jetojnë në të. A nuk është koha për një solidaritet, që do të na shpëtojë nga katastrofa e afërt ekologjike?

Evropianët mund të këmbëgulin, që rregullat mjedisore të respektohen kudo:pasi nga natyra, nuk mund të merret me shumë sesa ajo mund të përballojë. Ne mund të braktisim menjëherë pesticidet, të cilat po e mbysin biodiversitetin. Mund të vendosim për të zhdukur varfërinë, për të garantuar një pagë të mirë për të gjithë, për të kufizuar hendekun e të ardhurave, dhe ndalur pabarazinë. Ne mund t’i zgjerojmë të drejtat e grave.

Ne mund t’u lidhim duart e atyre që vjedhin përmes evazionit fiskal, atyre që shpërdorojnë mijëra miliarda euro çdo vit. Shkurtimisht, është e mundur të fillojmë një epokë të re të civilizimit njerëzor këtu, në kontinentin më të pasur dhe më të arsimuar të botës.

Ne mund t’i shndërrojmë normat humaniste, në horizontin e ri për miliarda njerëz.

Evropa nuk duhet të ketë më të bëjë me aleancën franko-gjermane, të kontrolluar nga kristiandemokratët gjermanë. Ajo poshtëron 26 vendet e tjera anëtare të BE-së, dhe i izolon francezët nga familja e tyre natyrore në jugun e kontinentit. Ne nuk duhet të kemi frikë nga rusët, të cilët janë partnerët tanë.

Nëse demokracia kërcënohet, kjo vjen më shumë nga tirania e financave, dhe metodat brutale të përdorura për të sunduar, gjë që i hapi rrugën vuajtjeve në Greqi, dhe mania për të goditur kapur kundërshtarët e BE-së në Poloni ose Hungari. Problemi i demokracisë sonë në Francë, nuk vjen nga Moska, por nga vetë Parisi, me një president që ka udhëhequr për 17 javë represionin e ashpër kundër “Jelekëve të Verdhë”.

Si mundet Makron, të na japë leksione mbi demokracinë, kur Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut , Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian, kanë shprehur publikisht shqetësim të thellë për dhunën policore në Francë?

Dhe ç’mund të thuhet për iluzionin se ‘Fortesa Evropë’, mund të mbrohet nga refugjatët ekonomikë dhe ekologjikë, duke i lënë ata të mbyten në Mesdhe? Fakti që Viktor Orban, i përshëndeti propozimet e fundit të Makron, si një pikë nisje për diskutimet, duhet të jetë shqetësuese.

Në vend të kësaj, duhet një politikë e menjëhershme për të shqyrtuar shkaqet që çojnë në mërgimin e detyruar:luftërat, ndryshimet klimatike dhe zhvatjen ekonomike. Të gjitha këto mjerime shoqërore, e kanë origjinën e tyre të përbashkët tek përmbajtja e traktateve evropiane, të cilat e kanë kufizuar politikën ekonomike në dogmën absurde të ordoliberalizmit, variantit gjerman të liberalizmit social, aq të dashur për qeverinë e Merkelit. Bashkëpunimi në Evropë, do të ketë nevojë për një dalje nga këto traktate.

Nevojitet urgjentisht një ndryshim kursi. Makron dhe Angela Merkel, mishërojnë recetat e vjetra, as mish as peshk. Evropianët duhet t’i rikthejnë vetes të drejtat e tyre politike. Nëse Franca do që të jetë sadopak e dobishme, ajo duhet të sillet si një partnere në këtë proces, në vend se të veprojë si një predikuese, që mendon se e di se cila është më e mira për të gjithë.

Shënim: Jean-Luc Melenchon, është kreu i partisë së majtë franceze, La France Insoumise (Franca e Paepur)

“The Guardian” – Bota.al

Share: