Nga Spartak Ngjela
Shqiptarët ndihen të gëzuar. Të mërzitur dhe me frikë janë sigurisht: Vuçiç, Cipras, por shumë u trembën dhe Rama, Berisha e Meta. Këta të gjithë po pyesin: çfarë po ndodh?
Asgjë e veçantë: Shqipëria do të bashkohet se do të ndreqet padrejtësia shekullore kundër shqiptarëve. Por, pa të korruptuarit, ama. Këta janë që të gjithë me fqinjët pushtues, se me ta duan të garantojnë gjënë e vjedhur.
E patë si ndiheshin të pestë!
Të paktën shqiptarët, kudo ku janë në Ballkanin Perëndimo, duhet të fillojnë të ndiejnë forcë të brendshme.
Ne këtu në Shqipëri na duhet forcë të shporrim Berishën dhe Ramën. Ky është kushti i zhvillimit të Shqipërisë. Dhe sigurisht që do të bëhet.
l.
Tani gjithçka është pastruar dhe Shqipëria duhet të kalojë shpejt drejt aplikimit të Reformës në Drejtësi. Avionët amerikanë dje e thanë hapur: Shqipëria është e mbrojtur.
Kurse kryeministri grek Cipras, po dje, na kërkoi prona greke në Himarë. Ku ka grekë në Himarë, o i turrullosur! Grekë nuk ka në Athinë dhe ky tani po kërkon grekë në Himarë. (!) Kurse vetë është shqiptar, një çam ortodoks nga Arta.
Sigurisht e gjitha këto po ndodhn se është forcuar Shqipëria. Sidomos tani që po i jep fund korrupsionit. Është genocidi antishqiptar dhe territoret e pushtuara që mundojnë tani me frikë Ciprasin e sidomos Vuçiçin.
Po çfarë është Korrupsioni aktual shqiptar?
Korrupsioni aktual shqiptar është një zgjedhë antikombëtare që i ka krijuar shqiptarëve një dëm kolosal në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Këta të korruptuar shohim se s’janë veçse ca çakej të pështirë që, pasi i kanë vjedhur shqiptarët, të trembur, po kërkojnë që t’i shkatërrojnë ata plotësisht si shoqëri.
E shihni se më kë kemi të bëjmë. Vjedhës të degraduar që po nxisin shkatërrimin e popullit të tyre për të garantuar gjënë milionëshe të vjedhur nga mundi i përgjithshëm shqiptar. Këta janë, por që ndërkaq janë në fundin e tyre.
ll.
Reforma në Drejtësi nuk mund të ndalet më. Tani edhe Rama që ka mazhorancën, nuk ka më fuqi që ta ndalojë. Ndërkombëtarët luajtën shumë bukur me zëvendësuesit e deputetëve të larguar nga Parlamenti.
Berisha dhe Meta menduan se me largimin nga Parlamenti, me dorëzimin e mandateve të deputetëve të tyre, shqiptarët do të ngriheshin të gjithë në një luftë të pakuptimtë që duhej të sillte shkatërrimin e plotë të Shqipërisë. Por gabuan rëndshëm.
Askush nuk ua vari, madje edhe ata që u gabuan në fillim, tani e kanë lënë Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, krejt të vetmuara, dhe pa asnjë forcë.
Tani gjithçka do të shkojë shpejtësisht deri në fund. Fundi i korrupsionit sigurisht që është çlirimi i Shqipërisë nga një zgjedhë 100 vjeçare që ka kaluar nga terrori shtetëror në korrupsion ultrakriminal.