Nga Andi Bushati
Burime të disafishta diplomatike bëjnë me dije se Parisi po e shpie drejt një “Jo”-je përfundimtare vendimin e 28 vendeve të BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë. Në një lajm të agjensisë Reuters, u raportua një zyrtar francez, i cili thoshte se as Shkupi dhe as Tirana nuk i kanë realizuar detyrat e shtëpisë. Madje me profesionalizëm, Reuters, nënvizonte se Franca është kundër politikave të zgjerimit me vende të reja, pa reformuar më parë një Bashkim Europian, vendimarrja e të cilit i ngjan gjithnjë e më shumë një kulle Babiloni.
Këto dy argumenta, kundërthënëse në dukje, janë në fakt dy anët e së njëjtës medalije që po e bën Shqipërinë të provojë shijen e hidhur të rrefuzimit për të tretin vit me radhë.
Nga njëra anë, po shihet qartë se rrymat që nuk na duan në BE janë gjithnjë e më të forta. Fakti që të njëjtin qëndrim Franca pritet të mbajë edhe me Maqedoninë e Veriut, e cila bëri sakrificën sublime të ndryshimit të emrit, vetëm për të hapur dyert e BE dhe NATO-s në Bruksel, e dëshmon këtë.
Pra këtu nuk kanë të bëjnë as vjedhjet, as oligarkia, as reforma në drejtësi, as blerja e votës, as Avdylajt, as Bildi apo aventurat me shkëmbim kufijsh.
Rama ka të drejtë kur e përshkruan dështimin e Shqipërisë për të bërë përpara, me problemet e brendëshme të 28-shes. Natyrisht politikat emigratore, fuqizimi i ekstremit të djathtë dhe mbi të gjitha kokëçarjet që kanë shkaktuar demokracitë iliberale të vendeve ish komuniste, që nga Orbani e deri tek vëllai i mbetur Kazinski, e kanë komplikuar vendimarrjen e shteteve themeluese në BE.
Eksperienca e ish vendeve lindor që u pranuan përpara, sot po bie si mallkim, qoftë mbi ne që e meritojmë më pak, apo qoftë mbi Maqedoninë e Veriut që dorëzoi gjithçka.
Por, sado reale qofshin këto arsye, sado vendimtare të jetë kjo anë e errët e medaljes, përpjekja e Edi Ramës për ta parqitur atë si kleçkën e vetme të dështimit të Shqipërisë, siç bëri edhe në fjalimin e fundit në parlament, mbetet një gjysëm e vërtetë.
Faqja tjetër, pra ajo që e nxjerr kryeministrin gënjeshtar është fakti se Franca -ashtu sikurse raportoi Reuters- foli për kritere të pa plotësuara.
Vetëm pak ditë më parë, në parlamentin francez u zhvillua një seancë për emigracionin, ku Shqipëria u tregua si delja e zezë që i printe listës së azilkërkuesve. Në mënyrë jo krejt të pafajshme edhe presidenti Makron edhe kryeministri Filip e lidhën këtë fakt me realitetin e një vendi që do të hapë negociatat.
Njësoj si Parisi edhe Haga e pati paralajmëruar qëndrimin, që kur parlamenti holandez votoi gjërësisht për ti vendosur vizat qytetarëve shqiptarë, për shkak se qveria jonë nuk është e aftë të luftojë krimin. Edhe Gjermania, megjithëse më dashamirëse, çdo vit është detyruar të shtojë kushte të reja, gjë që tregon se në Shqipëri, situata në vend të përmirësohet, degradohet dita ditës.
Kjo pra është e vërteta e plotë në dy anët e saj.
Argumentat e Francës që po shkon drejt një “JO”- je të prerë po tregojnë se në Europë nuk na duan, por ato dëshmojnë gjithashtu se ne ua kemi dhënë të gjitha justifikimet për ta mbuluar mungesën e dashurisë me mëkatet tona.
Këtë faqe të dytë të medaljes kryeministri preferon ta fshehë dhe pikërisht këtu, ai përpiqet të mashtrojë shqiptarët./Lapsi/