Një bazë ajrore për NATO-n në Ballkan

Analizë Opinion

Nga Urim TUSKU

 E kaluara historike

Shqipëria ka një pozicion gjeostrategjik në Ballkan, por dhe më gjerë, dhe për këtë arsye ka qenë konsideruar që herët si nyje nevralgjike për të kaluar nga lindja në perëndim dhe anasjelltas. Për këtë arsye, që në lashtësi ka shërbyer si shesh luftimi, ku janë përplasur fuqi të mëdha dhe e ka pësuar prej tyre. Kështu ka ndodhur edhe në periudhën e Luftës së Ftohtë, ku Shqipëria ishte anëtare e “Traktatit të Varshavës” dhe si e tillë, ajo përmbushte të gjitha detyrimet që buronin prej të qenurit anëtar.

Në këtë kuadër, Shqipëria ishte vendi strategjik në të cilin ishin ankoruar nëndetëse, në një nga gjiret më të përshtatshme të Mesdheut, siç ishte Pashalimani. Po ashtu, për të pasur një kontroll nga ajri, dhe për t’ju mbrojtur ndonjë armiku që do të vinte nga perëndimi, ishte ndërtuar baza ajrore e Kuçovës, i njohur ndryshe edhe si “Qyteti Stalin”, në nder të ish-diktatorit komunist sovjetik. Ndërtimi i këtij aeroporti u bë në vitin 1955 dhe ishte ndihmë nga Bashkimi Sovjetik, atje përgatiteshin pilotët dhe e gjithë trupa që shërbente aty. Më pas, me daljen nga “Traktati i Varshavës” në vitin 1968, Shqipëria u lidh ngushtësisht me Kinën dhe specialistët vinin nga Kina. Po ashtu edhe avionët, ishin pjesë e ushtrisë kineze në ndihmë të popullit shqiptar. Kështu vazhdoi, me ndihma të ardhura nga jashtë, pasi ekonomia vendase, e kishte të pamundur të mbante një aviacion të tillë, që kërkonte shuma të mëdha monetare. Në fund të viteve’70,  Shqipëria do të prishte marrëdhëniet me Kinën dhe vazhdimi i kësaj baze ajrore vazhdoi për inerci, pa u rinovuar me avionë të rinj. Një atmosferë e tillë e zymtë, pa asnjë perspektivë ishte deri në fillim të vitit’ 90.

Nga shkëlqimi në mjerim

Me ardhjen e pluralizmit, si çdo gjë në Shqipëri,  edhe baza ajrore ushtarake e Kuçovës nuk i shpëtoi rrënimit. Kjo erdhi si pasojë e lënies pas dore nga ana e strukturave shtetërore, por edhe nga pamundësia financiare. Edhe nëse u ndërhy për të rregulluar ndonjë gjë, kjo u bë në saj të ndihmave të ardhura nga partnerët strategjikë që kishin për qëllim të ndihmonin ushtrinë shqiptare. Një ndihmë të madhe në këtë drejtim dha vendi mik, Turqia. Pavarësisht përpjekjeve, shkëlqimi i dikurshëm, ende nuk po dukej. Madje vendi ku kishin qenë avionët dikur, i përngjante një qyteti fantazmë. Avionët sa vinin e reduktoheshin në numër dhe ata që kishin mbetur ishin tejet të vjetruar. Kjo ishte mungesë perspektive edhe për banorët e zonës, që dikur kishin jetuar më lavdinë e një qyteti të rëndësishëm.

Rikthimi i lavdisë së dikurshme

 Në vitin 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, 10 vjet pasi NATO-s kishte kryer sulmin e saj ajror mbi Serbi. Njëzet vjet më parë, pikërisht në mars të vitit 1999 avionët e NATO-s do të niseshin nga baza ajrore e NATO-s në Aviano të Italisë së veriut për të bombarduar nyjet ushtarake në Serbi. Ky ishte një sulm i suksesshëm i NATO-s ku u përfshinë mbi 1000 avionë, të cilët niseshin nga Aviano dhe aeroplanmbajtëset amerikane në Adriatik. Fushata e goditjeve zgjati nga 24 marsi deri në qershor të vitit 1999. Gjatë kësaj kohe kishte edhe momente vështirësie, për shkak të kushteve atmosferike.

Duke parë këtë retrospektivë, drejtuesit e NATO-s e panë me vend që të ndërtonin një bazë ajrore ushtarake në Ballkan. Dhe për këtë u zgjodh Shqipëria, pikërisht qyteti i Kuçovës, që më parë kishte shërbyer si bazë ajrore ushtarake. Për Shqipërinë ky ishte një lajm i shumëpritur, duke pasur parasysh një aleancë të madhe siç është NATO, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, ishte një miratim i plotë nga pala shqiptare. Aeroporti zë një sipërfaqe pre 310 hektarësh dhe është në hyrje të qytetit të Kuçovës. Projekti ka për synim modernizimin e bazës ajrore dhe kap vlerën e 50 milionë eurove si investim fillestar. Të gjitha këto investime pritet të kenë edhe një ndikim në ekonominë e zonës, sepse do të rrisin kërkesën për fuqi punëtore. Ndërsa në aspektin teknik është një ndihmë e madhe për NATO-n në Ballkan, sidomos pas zgjerimit të fundit me Maqedoninë, e cila rrezikonte të binte në influencën  ruse.

Me këto veprime, NATO dëshmon edhe njëherë, që Ballkani është në fokusin e tyre strategjik. Kjo bazë i rikthen Kuçovës lavdinë e dikurshme, por njëkohësisht rrit përmasën e Traktatit të Aleancës së Veriut (NATO) për të kontribuar në vazhdimësi për një botë në paqe.

 

Share: