Opozita protestë të enjten, Basha-ish deputetëve: Mos rrini në kafe

Aktualitet Kryesore Politikë

Partia Demokratike do nisë protestat edhe në rrethe. Krahas tubimeve të përjavshme para Parlamentit sa herë të ketë seancë, protestat do shtrihen edhe në qytetet jashtë Tiranës, me fokus problematikat që shqetësojnë qytetarët, deri në protestën kombëtare të 13 prillit në Bulevard.

Ky ka qenë vendimi që ka marrë sot kryesia e PD nën drejtimin e Lulzim Bashës, ku të pranishëm kanë qenë edhe ish-deputetët. Zbardhen detaje nga mbledhja ku kryedemokrati Lulzim Basha ka kërkuar angazhim maksimal nga degët por edhe ish-deputetët, ndërsa nuk ka kursyer as kritikat për ta, kur ka kërkuar që ata të mos rrinë në kafe, por të kontaktojnë qytetarët dhe të përgatiten për protestën e ardhshme, të enjten para Parlamentit.

“Protesta do kemi edhe në rrethe sipas problematikave. Çdo degë të mblidhet përgjatë javës. Protesta do ketë për çdo seancë parlamentare. Nevojitet më shumë angazhim për protestën masive në Tiranë”, ka thënë Basha, i cili më pas ka shtuar duke iu drejtuar ish-deputetëve dhe krerëve të degëve: “Mos rrini në kafe por zbrisni në terren dhe takoni qytetarët. Të enjten duhet të jeni në ballë të protestës”, mësohet t’u ketë thënë kryetari i PD ish-deputetëve.

Rezistenca e opozitës nuk do ndalet. Protesta do ketë para Parlamentit sa herë që do të mblidhet në seancë plenare. Edhe këtë të enjte, opozita do të protestojë, edhe pse ende nuk ka njoftim nga Kuvendi për seancë plenare.

Reaksioni do të shtrihet edhe në rrethe nga opozita kundër qeverisë, ndërsa në 13 prill ora 18:00, PD, LSI dhe partitë aleate do kulmojë me protestën kombëtare para Kryeministrisë për qeveri kalimtare dhe zgjedhje të parakohshme.

Share: