Arsyet që do t’ju bindin të filloni të vraponi çdo ditë

Shkencë & jetë Sport

Siç kanë thënë dikur edhe grekët e lashtë, “nëse dëshironi të jeni të fortë – vraponi. Nëse dëshironi të jeni të bukur – vraponi. Nëse dëshironi të jeni të mençur – vraponi”. Dhe, shkenca thotë se ata e kanë pasur mirë.

Normalisht që vetëm vrapimi nuk do t’ju ndihmojë t’i lini të gjitha problemet pas, dhe duhet të konsultoheni me doktorët para se të filloni të përgatiteni për një maratonë. Megjithatë, nëse vrapimi bëhet pjesë e rutinës suaj, padyshim se do t’i vëreni ndryshimet pozitive, transmeton Telegrafi.

Vrapimi është mënyrë e mirë dhe krejtësisht falas për ta rregulluar trupin. Nuk kërkon as paisje të veçanta (edhe pse është mirë të investoni në atlete të mira), e as nuk kërkon anëtarësim në palestër. Të gjitha këto janë arsye të mira për të filluar vrapimin.

Sidoqoftë, përveç këtyre, më poshtë i keni edhe disa arsye tjera të cilat do t’ju bindin të filloni vrapimin qysh sot:

– Vrapimi jua forcon zemrën, e rritë numrin e kapilarëve në trup, e gjithashtu edhe numrin e qelizave të kuqe të gjakut. Zemra juaj bëhet shumë më e fuqishme përmes vrapimit.

– Vrapimi e liron stresin. Kjo sepse trupi i akumulon produktet e panevojshme nga tensioni nervor dhe lodhja gjatë ditës. Për t’i hequr këto qafe, ju duhet të djersiteni mirë dhe vrapimi është mënyra më e përsosur.

– Kur ushtroheni, trupi liron një hormon të veçantë që quhet endorfin. Endorfinat ndryshe njihen edhe si hormone të lumturisë sepse kur rritet niveli i endorfinave në gjak, ju përjetoni ndjenja të euforisë dhe depresioni zhduket.

Përveç tjerash, vrapimi është i mirë edhe për shëndetin mendor, sistemin e imunitetit etj. /Telegrafi/

Share: