Dëmet nga ekranet, studiuesit: Jo edhe aq problematik

Shkencë & jetë

Koha e kaluar me tepri përpara ekranit, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë, është një shqetësim i madh i momentit.

Por, një studim i Oksfordit, i cituar nga BBC-ja, tregon se pasojat e ndikimit që ajo mund të ketë te mirëqenia mendore e të miturve nuk janë edhe aq të dukshme nga ç’mendohej. Edhe nëse kalojnë orë të tëra në shtrat duke parë ekranin e telefonit apo laptopit, rreziku sipas këtij studimi nuk është aq i madh.

“Ne pamë mirëqenien e përgjithshme – rrëfen Amy Orben, pjesë e ekipit që realizoi kërkimin. – Por nuk gjetëm ndonjë lidhje mes përdorimit të ekranit digjital për 30 minuta, një orë apo dy orë përpara gjumit, me ndonjë çrregullim të mirëqenies”.

Studimi merr në konsideratë të dhënat e përftuara nga mbikëqyrja e më shumë se 17 mijë adoleshentëve në Britaninë e Madhe, Irlandë dhe Shtetet e Bashkuara.

Kritikët, ndërkohë, reaguan menjëherë duke theksuar se disa nga të dhënat e Oksfordit datojnë nga viti 2011.

Që prej atëherë, koha e përdorimit të ekranit nga adoleshentët dhe natyra e asaj që po shikojnë kanë ndryshuar, thonë ata, duke nënvizuar se ka shumë dëshmi se, edhe pa marrë parasysh orët që të rinjtë shpenzojnë duke parë ekranet, të miturit përballen me materiale mbi çështje të tilla si anoreksia dhe dëmtimi i vetes, të cilat mund ta cënojnë shëndetin mendor të tyre./TCH

Share: