Ish-deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj përmes një postimi në “Facebook” komentoi sesionin e dytë të sesionit të PS-së ku u shpallën edhe disa prej kandidatëve të bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilin e cilësoi si spektaklin e ditës.
Sipas tij, vendi po rrëshqet drejt kapjes së pushteteve dhe vendosjes së një regjimi autokrat, ndërsa zgjidhja e vetme për vendosjen e shtyllave të dialogut politik, sipas tij është një qeveri tranzitore “që synon çeljen e negociatave, korrigjimin e reformës në drejtësi, çlirimin qeverisjes prej monopoleve, korrupsionit dhe drogës, sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i thënë stop blerjes së votës”.
Mbi tetë mijë karrige të marra nga shkollat për spektaklin e ditës: atë të ‘bashkisë që duam’. Nuk ka të ngopur kjo qeveri me shfaqje spektakolare, ku tumpetohen fitoret imagjinare. Si për t’i bërë karshillëk aksionit të opozitës kundëraksioni i mazhorancës po mbledh karriget e shkollave dhe administratën me ftesa facebookiane ‘të ëmbla’ e me kërcënim nëpër dhëmbë për pjesëmarrje të detyruar në harena pompoze tipike si kongreset e dikurshme.
Asnjë reflektim mbi situatën politike aktuale. Përkundrazi, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Sikur gazi e hareja të mos ishin ndryshe nga gazi lotësjellës ndaj protestuesve. Sikur të mos ishim vendi i kanabizimit dhe tranzit për drogat e forta; vendi ku ka krim të organizuar të bërë njësh me qeverisjen. Sikur reforma në drejtësi të synonte një drejtësi të barabartë për të gjithë. Po kështu, edhe kur parlamenti mbushet me njerëz pa mandat politik dhe mandati shitblihet si mjet mbijetese për disa e kthehet në karshillëk për ca të tjerë.
Por, nëse Shqipëria është ajo që duam, si këto skena madhështore antimitigu, përse qytetarët po ikin; përse ngrihen vallë studentët, artistët, fermerët, banorët e Kukësit e të Astirit, naftëtarët e minatorët? E vërteta është se vendi po rrëshqet drejt kapjes së pushteteve dhe vendosjes së një regjimi autokrat.
Albert Ajnshtain na mëson se nuk mund të zgjidhen problemet nga e njëjta mendësi që i ka krijuar. Ndaj krijimi i një rendi të ri kushtetues është mision për ndërtimin e një demokracie funksionale me pushtete të pavarura. Një qeveri tranzitore që synon çeljen e negociatave, korrigjimin e reformës në drejtësi, çlirimin qeverisjes prej monopoleve, korrupsionit dhe drogës, sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke i thënë stop blerjes së votës, janë shtyllat e një dialogu midis partive politike në vend. Çdo gjë tjetër është retorikë, papërgjegjshmëri dhe humbje kohe në dëm të qytetarëve.