Shkarkimi i Panuçit kryefjalë në mediat ndërkombëtare: Fatale humbja e fundit

Sport

Shkarkimi i Panuçit nga drejtimi i Shqipërisë, ka qenë padyshim lajmi më i rëndësishëm i ditë së sotme për sa i përket futbollit në Shqipëri, por situatës në grupin ku kuqezinjtë bëjnë pjesë.

Pas një aventure të dështuar me kuqezinjtë, Kristian Panuçi u shkarkua mëngjesin e sotëm dhe fatal për fatin e italianit, ka rezultuar takimi i fundit ndaj Turqisë.

Shkarkimi i tij ka marrë jo pak hapësirë edhe në mediat ndërkombëtare, sidomos në atë italiane dhe turke. “Zyrtare! Humbja me Turqinë fatale, shkarkohet Panuçi”, shkruajnë mediat italiane.

Në fakt, mediat kanë qenë shpesh herë të interesuara për fatin e trajnerit italian duke qenë se kohët e fundit është lakuar si trajneri i ardhshëm i Romës, por vendin e Di Françeskos e zuri Klaudio Ranieri.

Sakaq, largimit të Panuçit i kanë kushtuar rëndësi edhe mediat turke duke qenë se pikërisht humbja ndaj tyre e ka sjellë këtë vendim të Federatës Shqiptare të Futbollit.

“Përfundon epoka Panuçi te Shqipëria”, “Shqipëria i jep fund bashkëpunimit me Panuçin”, kanë shkruar mediat turke për lajmin e ditës së sotme. Rolin e trajnerit për transfertën ndaj Andorrës, do ta kenë Ervin Bulku dhe Sulejman Mema.

Share: