Kush është më i fortë, Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo. Kjo pyetje ndan opinionin botëror sportiv prej një decade, teksa mund të mos marrë asnjëherë një përgjigje të saktë. Lojtarë të ndryshëm, të dy “vrastarë” para portës, me klas të padiskutueshëm dhe në historinë e futbollit. Tifozët dhe specialistët janë të ndarë, por është shkenca që kërkon të zgjidhë njëherë e mirë këtë çështje.
Kështu, kërkuesit e Universitetit të Leuven në Belgjikë dhe shoqëria holandeze “SciSport” e specializuar në statistika, kanë përcaktuar se më i miri është Lionel Messi. Ky është përfundimi pas përpunimit të të dhënave të dy futbollistëve në të gjitha ndeshjet e tyre nga viti 2013 deri në vitin 2018. Shkencëtarët kanë vlerësuar parametrin e quajtur VAEP, që përfshin pasimet, goditjet, driblimin, përplasjet dhe gjithçka tjetër që çdo lojtar bën në fushën e lojës për të vendosur në rezultatin e ndeshjes.
Sipas llogarive, sulmuesi argjentinas i Barcelonës ka një mesatare 1.21, kundrejt 0.61 për ndeshje të rivalit të tij të përhershëm. Sipas Universitetit të Leuven, vlerësimet e dy futbollistëve ishin të njëjta në sezonet e para, ndërsa duke nisur nga ai 2015/2016 Messi nisi shkëputjen. E thënë shkurt, sipas shkencës “Pleshti” i Barcelonës është më vendimtar se Cristiano Ronaldo në fushën e lojës.