Bebet, tre hipotezat e reja për ecurinë e lindjeve deri me 2031

Aktualitet Kryesore Sociale

Shqipëria rrezikon të përfshihet në një krizë të lindshmërisë për shkak të uljes se riprodhimit në rreth një fëmijë për çdo grua gjatë dekadës në vijim duke e sjellë perspektiven e popullsisë në një rënie pashmangshme.

Mosha mesatare në lindje në Shqipëri ka shfaqur një rritje konstante lineare me rreth 0,27 çdo vit, përgjatë periudhës nga viti 2014 deri në vitin 2018. Gjithashtu, ky tregues ka mbajtur të njëjtin ritëm rritjeje pavarësisht rritjes apo zvogëlimit të indeksit sintetik të fekonditetit. Për këtë arsye, është menduar që MML do të vazhdojë rritjen lineare me të njëjtin ritëm deri në vitin 2031, kur pritet të arrijë në 31,5 vite.

INSTAT ka vështruar perspektivën e lindjeve sipas tre hipotezave si më poshtë.

Lindshmëria e lartë (ISF e lartë)
Si shembull i normave qëndrueshëm të larta të lindshmërisë shërbejnë Vendet Skandinave (Danimarka, Norvegjia dhe Suedia). Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, indeksi sintetik i fekonditetit në këto vende, me përjashtime të rralla, është luhatur ndërmjet 1,65 dhe 2,0 fëmijë për grua në moshë riprodhuese përgjatë gjithë periudhës 2001 – 2016. Prandaj, duke marrë si shembull përvojën e këtyre vendeve, hipoteza e ISF të lartë është projektuar me anë të një funksioni logaritmik që të arrijë nga 1,37 lindje për grua në vitin 2018 në 1,8 lindje për grua në vitin 2031.

Lindshmëria e mesme (ISF e mesme)
Në rastin e lindshmërisë së mesme, ISF është projektuar të arrijë nga 1,37 lindje për grua në vitin 2018 në 1,5 lindje për grua në vitin 2031, gjithmonë duke ndjekur një funksion logaritmik. Ky nivel përkon me mesataren e periudhës 2015 – 2018, vite gjatë të cilave ISF ka qenë nën nivelin 1,7. Kjo hipotezë nënkupton që gratë në Shqipëri do të rikuperojnë lindjet, pasi mendohet që gjatë pesë viteve paraardhëse ato t’i kenë shtyrë ato. Ky fenomen i shtyrjes dhe më pas rikuperimit të lindjeve është i njohur dhe mbështetet për më tepër edhe nga rritja konstante e moshës mesatare në lindje.

Lindshmëria e ulët (ISF e ulët)
Në rastin e lindshmërisë së ulët, ISF është projektuar me anë të një funksioni logaritmik të arrijë nga 1,37 lindje për grua në vitin 2018 në 1,2 lindje për grua në vitin 2031. Niveli prej 1,2 lindjesh për grua është marrë nga përvoja e mëparshme e vendeve të Evropës Lindore. Në këto vende, gjatë viteve 1990 dhe 2000, indeksi sintetik i fekonditetit arriti në nivele shumë të ulëta. Rastet më ekstreme janë ato të Bullgarisë (1,09 fëmijë për grua) dhe të Republikës Çeke (1,13 fëmijë për grua), për pjesën tjetër të vendeve të Evropës Lindore ISF arriti minimumin, rreth vlerës 1,2 lindje për grua. Në hipotezën e lindshmërisë së ulët mendohet që ISF e Shqipërisë do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031 dhe ndoshta më pas të fillojë rekuperimin e lindshmërisë./Monitor

Share: