Pakti Rama-Basha, po i jep tani frytet?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Pakti i mes-Majit të vitit 2017, megjithëse është mohuar nga Edi Rama dhe Lulzim Basha, dy krerët respektivë të PS dhe PD-së, partive më të mëdha të vendit, duke se ka lënë një vazhdimësi veprimesh në vend. Paçka mohimit dhe përfoljes në stilin tipik kombëtar duket se pakti po i jep frytet më së miri, fillimisht te PD-ja. Zoti Berisha, lideri historik i PD-së dhe mentori i kryetarit aktual, pas kësaj marrëveshje ka filluar të bjerret falë moshës dhe protagonizmit të madh të Bashës, që ka mbledhur rreth vetes një shpurë që i bën vetëm hosana. Për fat të keq dhe “njerëzit e fortë” të kryetarit tashmë ndjekin ritmin e Bashës, që ndërton një retorikë të lartë shpesh me non-sense për zhvillimin e vendit.

Përgjatë kohës, që i është besuar partia, ai ka mundur që edhe pas humbjeve katastrofale dhe paktit me Ramën, t’i japë fund të gjithë kundërshtive brenda radhëve të PD-së, duke e kthyer në një parti shumë të dobët dhe aspak frymëzuese. Por, gjithsesi, të dënuar që të vijë në pushtet. Shmangja e Sali Berishës nuk është vetëm fryti i parë i këtij pakti, por nxjerrja jashtë loje edhe e presidentit Ilir Meta duket se po merr rrugë konkretizimi tanimë. Ky i fundit duket një humbës edhe më i madh i të gjithës, pasi strehimi në presidencë ishte vetëm një stad i përkohshëm i etjes së tij për karrierë.

Megjithatë, nuk mund të mohohet: Prishja e marrëveshjes me PS-në e la LSI-në e tij në një det të trazuar ku i duhet të gjejë kursin pas PD-së, që nuk besohet se do t’ia falë kurrë atë që i bëri gjashtë vjet më parë. Ilir Meta, prishjen e marrëveshjes me PS-në, e përjetoi dhimbshëm që në momentet kur ishte zgjedhur President, por ende nuk ishte në detyrë dhe tranzicionin e zgjodhi të bënte punë partiake, madje duke e atakuar PS-në ashpër në Lezhë e Pogradec. Krejt në mohim të etikës presidenciale dhe mandatit që e priste. Në këtë qytet të bukur, pak orë më parë në Liqenin e Ohrit, bëri dhe insinuatat e panevojshme dhe disi absurde me Aljenden dhe flijimin e tij. Shumëkush beson se ai i trembet numrave dhe ekuilibrave të rinj që mund ta çojnë para përgjegjësive, por duket se Meta, mësuar të ecë në udhë të vështira, i trembet mbi të gjitha pensionimit të hershëm dhe mbi të gjitha çfaktorizimit, që tashmë po merr formë. Rama dhe Basha, realisht, i shmangën atë dhe Berishën.

Nëse Edi Rama nuk diti ta menaxhojë mirë vendin në mandatin e dytë, kjo nuk përbën ndonjë çudi, sepse nuk mund të presësh dot, që ai të dalë nga qerthulli i politikës së vendit dhe mallkimi i mandatit të dytë. Porse Rama përfitoi nga pakti me Bashën në vitin 2017, askush nuk mund ta mohojë. Ai zgjati i qetë, paçka sakrificës drejtimin e shtetit. Tregoi në partinë e tij se vetëm ai është i zoti të zgjidhë gjithçka, madje edhe në raste të tilla in-extremis. E bëri PD-në të vuante turpin e futjes në qeveri dhe të vetë-çertifikonte zgjedhjet, ndërsa u tregoi të huajve se ai ishte realisht burri i shtetit, që ata kërkonin nga ky vend.

Siç shprehej kolegu Çipa, edhe pas kinse sherrit Basha-Rama, duket se kemi sërish një pakt mirëfilli. Në fakt, Rama duket i velur me pushtetin, që nuk është çudi pas dy vjetësh t’ia blatojë qetësisht kundërshtarit të tij, duke i lënë në kurriz problemet e mëdha ekonomike të vendit, të cilat nuk mbulohen dot me propagandë dhe retorikë boshe e që kërkojnë energji, të cilat nuk të inspirojnë dot më. Basha, si njeri me fat, i takon sipas kësaj logjike të jetë i qetë si kryeministër i ardhshëm, pa pengesat e bezdisshme në këmbë por edhe hijet e rënda të çiftit Berisha-Meta, që i shmangu qetësisht me kolegun e tij Rama. (Javanews)

Share: