I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Sekretari i Përgjithshëm në Partinë Demokratike Gazment Bardhi tha se dorëheqja e Metës nuk e zgjidh këtë krizë, por e thellon akoma më shumë.
“Unë e kam lexuar mesazhin e presidentit Meta si një kontribut për të zgjidhur krizën politike e institucionale ku ndodhet vendi. Dorëheqje e presidentit meta nuk e zgjidh krizën politike dhe institucionale, thjesht do ta thellonte atë edhe më tej“, tha Bardhi.
Bardhi ka zbuluar edhe skenarin e protestës së nesërme para parlamentit, duke theksuar se protesta do të jetë e shtrirë në disa zona. Ndërkohë ai nuk konfirmoi pjesëmarrjen e Bashës për shkak të disa takimeve që kryedemokrati po zhvillon në Bruksel.
” Nesër do të jetë një protestë para parlamentit. Do të jetë e shtrirë në disa zona rreth parlamentit për të kuptuar të gjithë që pa opozitën dhe kundër vullnetit të shumicës së shqiptarëve nuk mund të vihet situata në normalitet në Kuvendin e Shqipërisë. Ne sot nuk kemi një parlament funksional, sepse që një parlament të jetë funksional duhet të ketë mazhorancën dhe opozitën. Nëse ka vetëm mazhorancës ai nuk është jo vetëm kushtetues, por nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Basha do të bëjë të gjitha përpjekjet për të qenë në orën e caktuar përkrah qytetarëve, por kjo do të varet në varësi të takimeve”.