Tepsitë e Dilaverit dhe Shqipëria e përjashtuar

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

‘S’ka Shqipëri, ka tre tepsi: PS, PD, LSI’. Ky ishte mesazhi që tërhoqi më shumë vemendje gjatë protestës së fundit të opozitës.

Në fakt qytetari që përcillte këtë mesazh, Dilaver Nela, nga një fshat i Kurbinit, ishte fillikat. Si të mos mjaftonte kjo, protestuesit e përzunë brutalisht.

Megjithatë, edhe pse i vetëm, edhe pse i përzenë pas pak çastesh, Dilaveri ia doli të bëhej lajm. Dhe jo lajm dosido, por nga ata që gjallërojnë rrjetin.

2.

Popullariteti mund të ketë arsye të ndryshme. Mes tyre, karakteri kundrapedal i mesazhit mund të jetë nga më kryesoret.

Del dikush dhe thotë një të vërtetë të njohur dhe të pranuar nga shumë qytetarë: të tria partitë politike, këto që bëjnë edhe shiun edhe diellin në anët tona, nuk merakosen për popullin e për vendin, por për vete dhe për militantët, me një fjalë për punë tepsish.

Mesazhi është i njohur, por vendi ku artikulohet e rinon dhe i jep origjinalitet: shqiptohet  mes  turmës së protestuesve, që pretendojnë njëzeri se djajtë janë në qeverisje, kurse engjëjt në opozitë.

Duket se mesazhi i Dilaverit fitoi popullaritet dhe u bë viral edhe falë një arsyeje tjetër, origjinalitetit në strukturim: një person, tre rrathë mbi kokë, një pankart në gjoks dhe një tjetër në dorë.

Të gjithë këta elementë ishin sendërtuar në frymë amatoreske, me një infantilizëm të dukshëm dhe krijonin kontrast me profesionalizmin, seriozitetin dhe frymën zyrtare të pankartave që mbanin protestuesit.

3.

Ishte kjo frymë kontrastuese që ngjiti shumë, nga që rezononte metaforikisht me një kontrast tjetër, shumë më të gjerë: kontrasti mes Shqipërisë politike dhe Shqipërisë reale.

Shqipëria politike na shfaqet në podiume, ekrane dhe, hera-herës edhe në sheshe, gjithë pompozitet, zhurmë e bujë. Ka për aktorë politikanët, militantët e të dyja palëve dhe shumicën e mediave, gazetarë e analistë.

Këta të fundit, nuk është se janë gjithnjë të rreshtuar me njerën apo tjetrën palë, por në çdo rast i bëjnë jehonë Shqipërisë politike. Nga që nuk kanë një axhendë të pavarur – kjo do të kërkonte kohë e mund -, bëhen apendiks i ligjërimit politik të maxhorancës apo të opozitës, i amplifikojnë dhe dramatizojnë këto ligjërime, duke u dhenë trajta sensacioni a seriali.

Përballë kësaj Shqipërie politike, qendron Shqipëria reale, ajo që vazhdon jetën e vet pavarësisht ububusë politike. Politikja shfaqet e zhurmshme dhe e rrëmujshme, realja e heshtur dhe këmbëngulëse. Politikja ka vemendjen e mediave dhe rrjedhimisht edhe të publikut, realja përcillet në heshtje dhe indiferencë.

Shqipëria reale, ajo që gjendet përtej një kilometri bulevard në protestë apo përtej një amfiteatri të sajuar takimesh të qeverisë dhe përbën shumicën e padiskutueshme, injorohet e nuk përfillet. Thenë ndryshe është e përjashtuar nga vemendja publike.

Shtjelluar kështu, në ligjërimin tonë publik nuk ka Shqipëri, por tri tepsi. Këtë të vërtetë shqetësuese përcillte mesazhi i Dilaver Nelës, ndaj mori vemendje aq të gjerë dhe admirim masiv në rjetet sociale.

Share: