Presidenti i djegies së mandateve

Analizë Opinion

Nga Skënder Minxhozi

Njihet si shpikësi i frazës së famshme “me qetësi dhe dashuri”. Njihet gjithashtu si i pari president që e ka marrë postin e kryetarit të shtetit gati-gati si një angari (megjithëse në këtë pikë ka ende debate) dhe që ka nisur fushatën elektorale në favor të (ish)partisë së tij, ende pa u tharë boja e votimit në parlament si kryetar shteti. Sot, 20 muaj pasi është futur në Presidencë me votat e socialistëve, Ilir Meta është përballë një momenti përcaktues të mandatit të tij presidencial.

Gjatë një viti e gjysëm presidenti Meta është përpjekur të maskojë të gjitha aspektet atipike të presidencës së tij: që u zgjodh në mes të krizës së Çadrës, me opozitën në bulevard, që i la vendin bashkëshortes së tij, e cila nga ana e saj, do t’i jepte LSI imazhin e partisë radikale, që ja numëron “me libër shtëpie” Ramës dhe qeverisë. Pas verës së vitit 2017, Meta u përpoq të kultivojë qetësinë liturgjike të postit që mban, në mesin e një lufte politike, , të cilën ai e shihte e vazhdon ta shohë me të njëjtat kritere, interesa dhe përfitime si Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi. Një betejë të të gjithëve kundër Edi Ramës!

Presidenti Meta guxoi të hyjë në një luftë dekretesh ministrore me qeverinë, në shkelje kushtetuese, aty ku paraardhësi i tij nuk kishte preferuar të futej. Meta bllokoi de facto negociatat me Greqinë për detin dhe çeshtjet e tjera të mbetura hapur, si dhe nisi të kthente gjithnjë e më shpesh ligje në Kuvend, në një vazhdë veprimesh që kërkonin nga një anë të afirmonin rolin e tij në punët e shtetit dhe nga ana tjetër, që të pengonin sadopak shumicën në politikat e saj qeverisëse. Ai nuk ngurroi t’i shkruante Donal Trump një letër kritike për qeverinë shqiptare në dhjetor 2017, për shkak të votës kundër të Shqipërisë në OKB, për Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, me shpresën se kështu do t’i dëmtonte edhe pak më tepër marrëdhëniet e Ramës me Shtëpinë e Bardhë, pas zgjedhjes së Trump president i SHBA.

Ky rol prej “zjarrvënësi elegant” mbi çatinë e shtetit mund të vazhdonte gjatë si i tillë, nëse në horizont nuk do të shfaqej kriza e mandateve. Vendimi i opozitës për të dalë jashtë sistemit politik, ka futur në një krizë të heshtur, por të prekshme, edhe Presidencën e Presidentin.

I ndërgjegjshëm që pas 16 shkurtit asgjë nuk do të ishte më si më parë, Ilir Meta u mundua ta anashkalonte valën e parë të krizës së mandateve, duke hedhur mesazhe amorfe dhe duke udhëtuar gjatë jashtë vendit. Rreth tre javë ai ka qenë nëpër botë, madje deri në Kaukaz, duke u përpjekur të jetë sa më pak i pranishëm në Tiranë. E kjo për një politikan race, që ka qenë protagonist i rreshtit të parë në të gjitha andrallat politike gati 30 vjeçare të këtij vendi, është diçka krejt e pazakontë, unikale.

Meta e ndjen se boshatisja e një krahu të Kuvendit të Shqipërisë është një zhvillim që nxjerr nga guacka edhe shtetarin me lëkurën më të trashë të imagjinueshme. Do të duhet të marrë anë, ja kërkon momenti, vullneti i tij i ngushtë politik dhe situata në të cilën ndodhet opozita. Dhe duket se në orët e fundit e ka bërë publike zgjedhjen e tij, duke dalë nga ekuilibri fals. Ka vendosur të tallë të majtën “që fshihet pas ndërkombëtarëve”, si dhe të shigjetojë këta të fundit, me mesazhe që i ngjajnë si dy pika uji deklaratave të opozitës.

E gjitha kjo e ka një shpjegim dhe është e kuptueshme deri diku në rrafshin personal, pas sulmit të eurodeputetit Flekeshtajn mbi “zonjën e parë”. Një sulm që i adresohej Ilir Metës, më shumë sesa kryetares së LSI. Por përtej këtij episodi personal, pozita e Ilir Metës në krizën aktuale politike mbetet komplekse dhe e vështirë, për të gjitha arsyet e imagjinueshme që nisin me postin e kreut të shtetit, atë të ish-kryetarit të LSI, kundërshtarit të betuar të Ramës dhe të një figure që është mësuar prej dekadash të vendosë ekuilibrat mes dy partive të mëdha.

Presidenti duhej të ishte parimisht në krye të përpjekjeve për të ulur palët në dialog, por nuk e bën dot këtë rol. Ai duhej të ishte në komunikim të ngushtë me ndërkombëtarët, arbitrat historikë të krizave shqiptare, por as këtë nuk e bën dot. Ai duhej të ishte zëlartë dhe prezent në opinionin publik, për të sjellë mesazhe shtensionimi, drejtpeshimi e bashkëpunimi, por mesa duket edhe këtë gjë e ndjen se s’mund ta bëjë. Është shumë i paragjykuar dhe shumë i përfshirë në këtë krizë.

Cili është atëhere roli që kryetari i shtetit shqiptar duhet të marrë mbi vete, në momentin kur vetë shteti kalon një moment të skajshëm tensioni politik? Ja një pyetje konkrete, për të cilën presidenti Meta me gjasë e ka të vështirë të përgjigjet. Sepse megjithëse nuk e thotë, megjithëse përpiqet t’i ikë sa të mundet dhe të bëjë sikur nuk është ashtu, Ilir Meta nuk e fsheh dot se është palë në këtë mishmash. Dhe kur je palë, s’mund të jesh simbol i unitetit të kombit.

Share: