A e kanë përfunduar misionin e tyre partitë politike?

Analizë Opinion

Nga Anne Applebaum

Xhorxh Uashingtoni, mendonte se ato ishin “motorë të fuqishëm”, të cilat manipuloheshin lehtësisht nga “njerëzit dinakë, ambiciozë dhe pa parime”. Poeti anglez, Aleksandër Poup, mendonte se partitë luanin me “marrëzinë e shumë njerëzve, për fitimin e vetëm disa prej tyre”. Asnjë nga të dy, nuk ishte i veçantë në mendimin e vet:Shumë mendimtarë politikë në shekullin XVIII-të = epoka që lindi demokracinë moderne në Amerikë dhe në Britani – kishin mendime të këqija mbi partitë politike. Atëhëre, përse mbetemi ende kaq shumë të lidhur me to edhe sot?

Kjo ishte pyetja që u ngrit në prag të formimit më 18 shkurt, të një partie të re politike në Britaninë e Madhe, që në fakt nuk është tamam një parti. Grupi i Pavarur, përmban 8 deputetë britanikë, që sapo janë larguar nga Partia Laburiste, dhe 3 të tjerë që sapo kanë dhënë dorëheqjen nga Partia Konservatore.

Sipas një sondazhi, 11 anëtarët e Grupit të Pavarur kanë mbështetjen e 14 përqind të popullsisë britanike. Në mënyrë të pasaktë, vendimi i tyre është përshkruar jashtë vendit si i shkaktuar nga Brexit. Kjo është veç një pjesë e historisë, pasi dy partitë më të mëdha politike në vend, janë radikalizuar edhe në mënyra të tjera.

Si lidershipi laburist, ashtu edhe aktivistët e saj në bazë, udhëhiqen aktualisht një majtist marksist që është i fshehtë mbi planet e tij, dhe i prirur për teoritë e konspiracionit, duke përfshirë edhe ato antisemitike. Një nga ish-deputetët laburistë, e ka cilësuar këtë parti si “institucionalisht raciste”.

Partia konservatore, dikur pragmatike, e ka humbur “busullën” e saj të vjetër ideologjike, dhe është  e dominuar prej një pakice të së djathtës ekstreme, dhe një lideri, interesi kryesor i të cilit nuk është e mira e vendit, por uniteti i partisë. Siç e tha njëri prej ish-konservatorëve, “partinë e udhëheqin tani përfaqësuesit e krahut të djathtë të vijës së ashpër, dhe që janë anti BE”.

Si për t’i rikonfirmuar këto pretendime, partizanët nga të dyja ekstremet politike, ndërmorrën një valë fyerjesh të turpshme, dhe sulmesh të urryera ndaj të gjithë anëtarëve të rinj të Grupit të Pavarur, brenda pak minutave nga shpallja e dorëheqjeve të tyre.

Por transformimi i të dyja palëve, nuk ka të bëjë vetëm me gjuhën e tyre brutale. Ashtu si ekuivalentet e tyre amerikane, partitë britanike qenë dikur lëvizje të gjera me lidhje, me institucione të vërteta, që kishin rëndësi për njerëzit, institucione si sindikatat dhe grupet kishtare që ofronin jo vetëm pjesëmarrje politike, por edhe identitet.

Ndërsa fuqia e këtyre institucioneve reale u zbeh, teksa identiteti u bë një gjë që njerëzit e gjenin gjithnjë e më shumë në internet, partitë kryesore u bënë mekanizma efikasë për politikanët që të fitonin pushtet. Në një panoramë informative të qeverisur gjithnjë nga algoritme që favorizojnë zemërimin dhe ekstremizmin, nuk u desh shumë që të ndodhte kapja e tyre nga pakicat e zemëruara dhe ekstremiste.

Çështja tani është nëse një gjë amorfe si një grup “i pavarur”, mund të tërheqë votuesit që mbeten politikisht të pandikuar nga këto ndryshime. Në një periudhë afatshkurtër, duke pasur parasysh pakicën e vogël të qeverisë britanike, mund të jetë e mundur të krijohet një bllok centrist, votat e të cilit duhet të sigurohen nëse partia në pushtet dëshiron të miratojë ndonjë ligj. Në planin afatgjatë, si në Shtetet e Bashkuara, sistemi primar i votimit në Britaninë e Madhe e bën të vështirë, në mos të pamundur, që një parti centriste të shënojë ndonjë përparim në zgjedhje.

Çështja më kryesore, është nëse ka diçka që mund të zëvendësojë partitë moderne politike, që u shërbejnë të gjitha qëllimeve. Ndoshta ka vend në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, për kryetarët e bashkive dhe këshilltarët lokalë, që të fitojnë zgjedhjet për çështjet lokale edhe me partneritete lokale, siç ndodh në disa vende evropiane.

Ndoshta ekzistojnë koalicione ndërpartiake fluide, që mund të ndërtohen rreth çështjeve të veçanta. Tani është tepër vonë, por nëse do të kishte pasur një grup për një “Brexit të moderuar” brenda parlamentit britanik dy vjet më parë, ai mund të kishte ndikim të madh në negociatat e mëvonshme.

Dhe nëse nuk mund të ndërtohet brenda Parlamentit, a mund të ndërtohet diku tjetër? Gjatë 200 viteve të fundit, partitë krijuan filozofi dhe politika qeverisëse, dhe i promovuan ato për vite, në mos dekada me rradhë, nëpër ciklet e ndryshme zgjedhore. Nëse filozofitë dhe politikat e tyre nuk kanë më një tërheqje për masat, atëherë ndoshta organizata të reja, ndoshta rrjete të reja online, do të zënë vendin e tyre.

Por askush ende nuk e di se si do të duket e gjitha kjo, prandaj politika aktualisht është kaq e ndërlikuar dhe e zymtë. Ka edhe mundësi të tjera. Grupi i Pavarur, mund të zgjerohet për t’u bërë një parti e zakonshme. Ndërkohë, mundet edhe që të zhduket që në zgjedhjet e ardhshme. Sistemi i vjetër po vdes, sa për të perifrazuar thënien e famshme të filozofit, por i riu s’ka lindur ende. Ndërkohë, po ndodhin gjëra shumë të çuditshme. Grupi i Pavarur, është një prej tyre.

“The Washington Post” – Bota.al

Share: