LDK/Partia që s’fitoi asnjë palë zgjedhje nga viti 2004

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli

 

“Nuk do të lejojmë kapje të re të shtetit”, po thotë një zyrtar i LDK-së. Kjo fjali e përkthyer domethënë: nuk do të lejojmë dekriminalizimin e shtetit, sepse edhe vetë si LDK e kemi ngjyer bashkë me partnerin e dashur e shumëvjeçar dhe shtetkapës. Me sa duket disa nga krerët e LDK-së ende kanë nostalgji për koalicionet e Zanzibarit.

Mund të provojnë edhe tash të lidhin një koalicion të tillë, të shohim si po voton Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së. Të shohim çka po thotë sovrani i LDK-së.

Deklaratat absurde si kjo e këtij zyrtarit tregojnë se përse LDK nuk i ka fituar asnjë palë zgjedhje që nga viti 2004. Më 2004 fitoi 45,42 për qind të votave, më 2007 u fundos në 22,6 për qind, më 2010 mbeti gati aty ku ishte (24,69 për qind), më 2014 mori 25,24 për qind të votave, ndërsa më 2017 (në koalicion me një oligark) doli e treta (25,53 për qind).

Pak a shumë LDK-në e kontrollojnë të njëjtit njerëz qe 15 vjet, të cilët në nivel nacional nuk kanë fituar asnjë palë zgjedhje dhe janë kënaqur me rolin e patericës së PDK-së.

Asnjë nga përgjegjësit për mos-suksesin e LDK-së nuk ka treguar një fije respekti ndaj elektoratit, duke dhënë dorëheqje dhe duke u hapur rrugë figurave të reja. Edhe kandidimi i Vjosa Osmanit sivjet ishte një zgjidhje emergjente nga paniku se LDK do të përfundonte pas PDK-së.

Siç duhet të dekriminalizohet shteti, ashtu edhe LDK duhet të vendosë si do të rreshtohet: me partitë e krimit të organizuar si deri më tani apo me frymën e përgjithshme qytetare për ndryshim, që u pa qartë më 6 tetor.

 

Share: