Nga Eduard Zaloshnja
Në kongresin e fundit të PS-së, Edi Rama caktoi si objektiv elektoral të PS-së 800 mijë vota në zgjedhjet e rradhës. Nuk dihet nëse këtë objektiv ai e ka bazuar në sondazhet periodike që zhvillon apo në faktin se partitë që janë sot së bashku në opozitë nuk e arritën dot kuotën e 800 mijë votave në zgjedhjet e 2017-ës. Sidoqoftë, duket se Rama është i sigurtë që një dallgë opozitare 1-milionëshe (si ajo që e solli në pushtet) nuk do të përplaset mbi PS-në në zgjedhjet e ardhshme…
Në fakt, rrotacionet e pushtetit (përveç njërit) kanë ardhur nga dallga votash 1-milionëshe.
Kështu, në zgjedhjet e 1992-shit, pothuaj 1.1 milionë vota grumbulloi koalicioni i partive të udhëhequra nga PD-ja. (Ka ndonjë zë që pretendon se ka ende në xhepa dokumente që tregojnë se nuk ishin 1.1 milion vota, por sidoqoftë, të paktën 1 milion vota duhe të kenë qenë). Ishte ajo një dallgë e madhe e njerzve që donin ndryshim, pavarsisht se jo pak prej tyre ishin nga familje tradicionale të majta. Dhe para një dallge të atillë, partisë së atëhershme në pushtet nuk i mbeti veçse të dorëzonte çelësat e tij…
Në zgjedhjet e 1997-ës, pothuaj 1 milion vota grumbulloi koalicioni i partive të udhëhequra nga PS-ja, pasi 1 milion shqiptarë kishin humbur kursimet e jetës në skemat piramidale që lulëzuan nën pushtetin e PD-së. Është e vërtetë se shumë votues të djathtë u penguan të votonin në zona të nxehta të Jugut, por dallgës 1-milionëshe të votave opozitare nuk kishte ç’ti bënte dot PD-ja e atëhershme…
Në zgjedhjet e 2013, 1 milion vota grumbulloi koalicioni i partive të udhëhequra nga PS-ja, pasi PD-ja e kishte mbushur kupën 8 vjet në pushtet. Edhe pse i kishte në dorë të gjitha çelsat e shtetit e të zgjedhjeve në dorë (duke përfshirë Gardën e Republikës, policinë, gjykatat, administratën, KQZ-në, etj. etj.), PD-ja u dorëzua para dallgës 1-milionëshe (madje, pasi u rinumëruan votat në Shkodër, Lezhë, etj.).
I ndryshëm ishte rrotacioni i pushteti më 2005, kur koalicioni i partive të udhëhequra nga PD-ja erdhi në pushtet me më pak se 600 mijë vota. Ai ishte një rast unik, kur përçarja e një partie të madhe i ka kushtuar pushtetin asaj në tre dekadat e fundit. Kandidatët e majtë të LSI-së (të sapondarë atëherë nga PS-ja) konkuruan në të 100 zonat zgjedhore, duke i prishur punë kandidatëve të majtë të PS-së. Pa një përçarje të atillë të votave të majta, koalicionit të partive të udhëhequra nga PD-ja nuk do t’i kishin mjaftuar votat për të ardhur në pushtet (Vitin që vjen, ndonjë partizë e majtë që mund ta krijojë Ditmir Bushati, p.sh., s’do të jetë në gjendje të prodhojë një efekt sizmik si ai i LSI-së në 2005-ën).
Ky historik i shkurtër i rrotacioneve politike në tre dekadat e fundit i jep një leksion shumë të qartë partive të sotme opozitare. Në qoftë se ato krijojnë së bashku një dallgë votash 1-milionëshe, rrotacioni do të vijë, pavarsisht se kush e kontrollon Gardën e Republikës, policinë, gjykatat, administratën, KQZ-në etj. etj. Por që partitë opozitare ta krijojnë dallgën 1-milionëshe, nuk duhet të mbështeten vetëm tek votuesit e përhershëm të tyre. Me ta nuk bëhen dot as 800 mijë vota, e jo më 1 milion…