“Të spiunosh” apo të mos “spiunosh” në Polici?

Opinion

Pyetje kjo që bëhet tani, pasi ke lexuar mesazhin e ministrit të Brendshëm në “Tweeter”, ku ai nënvizon faktin se “bashkëpunimi me Policinë është qytetari në çdo vend europian. Stigmatizimi i bashkëpunimit është barbari. Mbështetni Policinë tuaj”. Me të drejtë, ministri ynë vendos përballë njëra-tjetrës dy ekstremet qytetarinë dhe barbarinë. Për shembull qytetarie, ai ka zgjedhur Europën. Për barbarinë, shigjeta drejtohet sigurisht brenda nesh.Nëse do të bëhej analizë e raporteve ndërmjet Policisë së vendeve europiane dhe qytetarëve të tyre, problemi do të duhej të kapte aspekte të shumta në numër. Aspekte këto të larmishme, por edhe të mërzitshme. Pa interes për publikun e gjerë. Ndaj, në këtë kontekst, si shembull do të mjaftonte sjellja ndër mend vetëm e një fakti. Të atij lidhur me arsyen domethënëse se përse xhandarmëria franceze dhe karabinieria italiane nuk shkrihen me policitë respektive të vendeve të tyre në kushtet kur Komisioni Europian është kategorikisht kundër forcave të armatosura me status ushtarak në mbajtjen e rendit dhe të qetësisë publike. Dihet që të dyja vendet i kanë me shumicë kapacitetet për ta mundësuar shkrirjen. Aq më tepër që nga ana administrative e financiare nuk ka ndonjë problem madhor për ta kryer veprimin. Por është ana shpirtërore ajo që nuk e mundëson. Xhandari në Francë dhe karabinieri në Itali janë dy figura të ngulitura thellë ne mentalitetin popullor të këtyre vendeve. Janë pjesë e trashëgimisë së tyre gjithmonë në progres, në përshtatje me kohën. As historia, as kinematografia, as letërsia e pasur me rrëfime, as tekstet shkollore, as historitë e shumta me humor e anekdota nuk do të ishin kaq të dashura si për publikun e këtyre vendeve dhe për atë botëror nëse nuk do të kishin brenda tyre praninë e figurës së xhandarit në Francë apo të karabinierit në Itali. E gjitha kjo, sepse historikisht, këto dy figura kanë qenë mjaft afër popullsisë modeste, periferike në vendet e tyre. Afër shtresave në themelet e piramidës sociale. Gjithmonë korrektë në zbatim të ligjit dhe po aq në vëmendje të të gjitha problemeve e shqetësimeve të banorëve në zonat kryesisht rurale. Edhe për shqetësimet më të vogla. Xhandari dhe karabineri i dhanë siguri, besim dhe popullsia ia ktheu me bashkëpunim. Me nderim. Ndaj, në këtë raport nuk bëhet fjalë për “spiunllik”, por për marrëdhënie me një institucion. Një institucion që është adoptuar ritmikisht me kohën, por pa ndryshuar asnjëherë vëmendjen ndaj më të dobëtit. Më të pa mbrojturit. Që të dëgjon dhe punon për ty duke e kthyer marrëdhënien me qytetarin në marrëdhënie shpirtërore. Njëlloj si me famulltarin e fshatit. Ajo që sot quhet policimi në komunitet.

Share: