Dystopia kombëtare dhe mungesa e mjekëve që shërojnë këtë epidemi

Analizë Opinion

Nga Dritan Hila

Amarildo Pregapuca është një shqiptar i ikur prej 25 vjetësh në Angli, atëherë kur shumica e shqiptarëve gjuante veriun e Italisë.
Mund të konsiderohet sipërmarrës, pasi drejton në Londër një brigadë specialistësh të fushës së ndërtimit. Nuk është i përkëdhelur nga fati. Furtunat në Shqipëri i kanë prishur biznese dhe ky ka qenë shkaku fillestar që i ka dhënë rrugët. Tani që është rreth të pesëdhjetave, po mendon rikthimin. Ka filluar të presë urat me Britaninë dhe të investojë rishtas në Shqipëri. Qenia emigrant për një kohë të gjatë i ka dhënë një këndvështrim të ftohtë për ngjarjet. Kështu, nëse i thua që Shqipëria trafikon drogë, të përgjigjet që Anglia ka bërë një luftë me Kinën për drogën e cila njihet si “Lufta e Opiumit”, ku ndër të tjera detyroi një kontinent të tërë të bëhej daulle dhe akoma nuk ka kërkuar falje; kur i tregon për luftën e bandave, të përgjigjet se në Angli vriten më shumë rrugëve por askush nuk merret me ta; kur i tregon për bandat shqiptare që kanë pushtuar Anglinë, të thotë se shqiptarët janë ende fëmijë në këtë fushë, pasi bandat angleze të rrjepin të gjallë, ta bëjnë lëkurën daulle dhe të detyrojnë ta blesh e këndosh nën ritmin e saj. Por në planin makro, ai thotë se kjo zhurmë negativiste që ekziston në vendin tonë është shërbimi më i keq që i bëhet biznesit me emrin Shqipëri. Askush nuk vjen të investojë në një vend, i cili shan veten nga mëngjesi në darkë.
A ka defekt ky vend? Çdo përgjigje me sens është: pafund. Ne kemi probleme të mëdha në trajtimin e resurseve njerëzore, në planet perspektive dhe në strategjitë ekonomike, në administrimin e territorit dhe deri në planimetrinë e qyteteve. Pabarazia sociale në Shqipëri është e denjë vetëm për vendet e botës së tretë. Në vendin ku asistenca sociale është maksimalisht diku tek 70 dollarë në muaj, në kryeqytet ke dendësinë më të madhe të fuoristradave 70 mijë dollarëshe. Dhe për të kundërshtuar gjithë këtë çekuilibrim të shoqërisë, shqiptarët kanë zgjedhur të ikin. Dhe përveç kësaj, edhe të shajnë.
Vendi ynë është në një fazë kur dystopia (fenomeni që i shikon të gjitha gjërat negativisht) është kthyer në epidemi. Dhe kjo epidemi po tregon se ne nuk kemi fare mekanizma imunitarë që ta luftojnë, që në këtë rast është ajo që quhet elitë.

Personalisht mund ta kuptoj një punëtor që vetëm shan dhe ankohet madje del edhe në protesta të dhunshme. Por, nuk mund ta kuptoj një mjek që ndjek të njëjtën vijë sjelljeje. Kush i ka penguar mjekët që të kenë organizatën e tyre, qoftë kjo sindikatë, shoqatë apo korporatë? Pse nuk organizohen të krijojmë mekanizma mbrojtës kundër gerontokracisë apo klanizmit?
E njëjta gjë vlen edhe për pedagogët. Të gjithë sot shajnë sistemin arsimor. Por kanë qenë këta pedagogë që kanë bërë suportin e atyre që sot i quajmë baronë të sistemit dhe e mjelin financiarisht. Dhe është e pakuptueshme sesi këta zgjidhjen e gjejnë tek e shara dhe jo krijimin e mekanizmave imunitarë. Janë ata që kanë kërkuar mbështetjen e politikës për të krijuar principatat e tyre dhe që tani shajnë pse janë në këtë gjendje.
Epidemia e ikjes ka përfshirë gjithë Ballkanin Perëndimor. Kjo është e kuptueshme për Serbinë që doli nga lufta dhe rrogat pësuan rënie me nga 10 herë, apo për Maqedoninë, kompozimi etnik i së cilës e bën të pasigurt perspektivën e saj. Por Shqipëria ngjan e pakuptimtë. Shumëkush do të përgjigjet se është politika shqiptare që ka hequr shpresën. Politika shqiptare ka përgjegjësitë e veta të pamohueshme. Por, kjo ka një mënyrë të rregullohet. Dhe natyrisht jo duke u hedhur nga anija për të kapur bregun tënd me not e pastaj nga bregu i ishullit të shash ata që ndenjën për të shpëtuar anijen dhe pasagjerët e saj. Kjo është burracakëri, që nuk ka lidhje fare me kurajën qytetare apo reagimin civil.
Dhe për ta mbyllur me një shembull personal. Në vitin 2006 kur sapo isha kthyer nga shërbimi në Itali, gjeta në Ministrinë e Jashtme një klimë revolte, pasi po bëheshin emërime jashtë kritereve ligjore dhe sipas preferencave partiake. Iu propozova nja dhjetë kolegëve të mi që të bënim një sindikatë, e cila do të mbronte ligjin dhe individët. Në tavolinën e kafenesë të gjithë u treguan entuziastë. Pastaj, një e nga një dredhuan në nënshkrimin e aktit themeltar. Mbeta vetëm unë dhe një koleg. Pas kësaj as më dhimbsej njëri kur i hanin hakun. Kishin zgjedhur të bënin pazaret e tyre dhe dihet që në pazar fiton më i forti. Ndaj edhe shqiptarët nëse duan të bëjnë një vend perëndimor, duhet të ndjekin rregullat e tyre. Evropa nuk është bërë kjo që është nga qaramanët, por nga kurajozët që kanë luftuar për të drejtat e tyre.


 

“Dritare.net”

Share: