Popujt e Ballkanit nuk mund të kenë të ardhme të mirë pa u pajtuar me faktin se fqinjët nuk do të ndërrohen apo zhvendosen, dhe e ardhmja nuk do të jetë e ndritshme për kaq kohë sa të tashmen nuk e ndërtojnë duke nxjerrë mësime nga e kaluara e përgjakshme.
I.
Në Serbi së fundi bëri bujë një intervistë e basketbollistit Nikolla Kaliniq. Mes të tjerash, ai në adresë të serbëve, bashkëkombësve të tij, tha: «Nuk jemi popull qiellor, as që kemi qenë ndonjëherë, kemi pasur momente shkëlqimi në të kaluarën, por duhet të pajtohemi se tash jemi një pikë e vogël dhe e parëndësishme në hartën e madhe të botës. Kush nuk më beson, le të udhëtojë pak nëpër botë dhe t’u tregojë të huajve se nga vjen – do të tmerrohet. Unë e kam përjetuar. Së fundi u nënshkrua marrëveshja e re për bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Francës, e para qe nënshkruar më 1963, domethënë 16 vjet pas gjithë asaj që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore. Hej, 16 vjet pas gjithë atyre krimeve, mizorive dhe viktimave ata e kanë kuptuar se duhet të punojnë së bashku dhe shihni se ku janë sot? E ne ende flasim për Betejën e Kosovës…». Kaliniq është e kundërta e Novak Gjokoviqit, yllit botëror të tenisit, i cili sapo u shpall Pavarësia e Kosovës iu drejtua serbëve me një mesazh nga Australia me porosinë se «Kosova është Serbi» dhe me thirrjen për ta mbrojtur Kosovën. Gjokoviqi është nderuar nga Kisha Ortodokse Serbe me Urdhrin e Shën Savës. Kjo është mirënjohja më e lartë që ndan kisha serbe. Basketbollisti i Fenerbahçes së Turqisë, Nikolla Kaliniq nuk ka gjasa të marrë ndonjë mirënjohje nga kisha serbe, sepse çfarë thotë Kaliniq nuk i përshtatet agjendës nacionaliste të klerikëve serbë.
Kaliniqi u sulmua ashpër pas intervistës së tij në gazetën «Blic», disa e pyetën se kur do të bëhet myslimanë, të tjerët e pagëzuan «Mustafa». Por Kaliniqi iu përgjigj urrejtësve me një citat të Antonije Pushiqit alias Rambo Amadeus, një këngëtari të njohur kudo në Ballkan: «Nacionalizimi është temë deri në 300 euro të ardhura mujore… Kur rroga kalon 500 euro, pastaj fillon muhabeti për gardërobë dhe kafehane. Kur kalon 1000 euro, atëherë top-temë është ushqimi i shëndoshë, pushimet verore dhe dimërore, ndërsa kur rroga ngjitet në mbi 3000 euro, atëherë ndërpritet çdo llomotitje. Njerëzit atëherë flasin për parashikimin e motit dhe për dashuri».
II.
Popujt e Ballkanit janë të lirë. Në mënyrën e tyre. Megjithatë, janë të lirë në burgjet e tyre. Në Serbi jo që nuk hiqet dorë nga ambiciet për të destabilizuar e dominuar Ballkanin, por prej vitesh zhvillohet një fushatë intensive për revidimin e historisë, ku nuk ka agresor dhe të gjithë janë disi viktima, por më së shumti serbët. Ata pyesin: a nuk ishim gjysmë milioni në Kroaci? Sa jemi sot? A nuk jetonin 200 mijë serbë në Kosovë? Por, askush, përveç ndonjë zëri nga sektori civil, nuk e shtron pyetjen mbi pasojat e politikës katastrofale dhe kriminale të Slobodan Milosheviqit, të cilit për një dekadë i kanë vrapuar pas shumica e serbëve. Për popujt e tjerë të Ballkanit Milosheviqi ishte diktator dhe xhelat, për serbët ishte një politikan i zgjedhur me votë demokratike. Me përjashtim të zgjedhjeve të vitit 2000 dhe atyre lokale të vitit 1997 vozhdi serb nuk kishte nevojë të manipulojë zgjedhjet. Serbët i shkonin pas.
III.
Popujt e Ballkanit nuk mund të kenë të ardhme të mirë pa u pajtuar me faktin se fqinjët nuk do të ndërrohen apo zhvendosen dhe e ardhmja nuk do të jetë e ndritshme për kaq kohë sa të tashmen nuk e ndërtojnë duke nxjerrë mësime nga e kaluara e përgjakshme. Basketbollisti Nikolla Kaliniq përmend marrëveshjen e re për bashkëpunim mes Gjermanisë dhe Francës, të nënshkruar së fundi nga kancelarja Angela Merkel dhe Emmanuel Macron. Çdo popull lëngon nga plagët e veta historike. Dhe çdo plagë e vuajtje meriton respekt. Në Evropën Perëndimore në shekullin e 20-të nuk ka popuj që i kanë shkaktuar më shumë vuajtje njëri-tjetrit se gjermanët e francezët. Megjithatë, më 22 janar 1983 kancelari Konrad Adenauer gjatë një vizite në Paris nënshkroi marrëveshjen e miqësisë mes Francës e Gjermanisë. Kjo kontratë i obligonte të dyja vendet të bashkëpunojnë në fushat e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, të mbajnë takime të nivelit të lartë së paku dy herë në vit, ministrat e Jashtëm të takohen çdo tre muaj, ndërsa zyrtarët e rangut më të ulët edhe më shpesh. Të dyja palët u dakorduan që përmes një programi të bëhet shkëmbimi i nxënësve. Sepse vetëm duke njohur tjetrin, duke ngrënë bukën e tjetrit, mund të zbehen paragjykimet. Nga kjo fazë vendet e Ballkanit janë tepër larg. Gjermanët dhe francezët patën fatin që në krye të vendeve të tyre pas Luftës së Dytë Botërore erdhën politikanë që ose gëzonin imazhin e heronjve të vërtetë të luftës (De Gaulle), ose ishin kundërshtar të nazizmit (Adenauer, i cili në vitet ‘30 kishte refuzuar t’ia japë dorën një kreu nazist). As në Serbi, as në Kosovë nuk ka momentalisht politikan të afërt me këtë kalibër. Andaj po bëhet një dekadë prej se simulohet «pajtimi» para surratit plot buzëqeshje cinike të burokratëve të BE-së.