Shqipëria solidare, populizëm që do na varfërojë fare

Analizë Opinion

Nga Besart Kadia

Një ndër fenomenet e përbashkëta të vëna re mes populistëve të majtë dhe atyre të djathtë është theksimi i faktit se populli po lihet pas dhe një elitë e vogël të pasurish dhe të pushtetshëm po pasurohen në kurriz të tyre. Kontrasti që theksojnë ata, kudo që të jenë në ShBA, Itali, Poloni apo dhe Shqipëri, është: populli i drejtë dhe i harruar dhe elita e korruptuar dhe fuqiplotë. Populistët nga natyra kërkojnë të përfaqësojnë vullnetin e unifikuar të popullit. Për ta çdo diskutim tjetër që është kundër këtij përcaktimi të vullnetit të popullit është i ardhur nga elita e për këtë arsye i gabuar. Sot kryeministri Rama po bie në gracën e retorikës populiste që vetë e filloi para se të vinte në pushtet. Kështu ai thoshte në fillim të viteve 2010 se : “taksa progresive është e drejtë dhe 3% e shqiptarëve do paguajnë për 97% të shqiptarëve”. Më pas tha se : “rritja e tatim fitimit në 15% ishte e domosdoshme për të marrë më shumë të ardhura nga fitimi I firmave për të bërë rishpërndarje për të varfrit”. Më pas u theksua fakti se: “politika e korruptuar kishte dhënë koncesione e privatizime në kurriz të popullit të varfër e se këto do rishikoheshin”. Ky zhargon politik ngjiti mirë atëherë dhe shumë njerëz filluan të mendonin se me të vërtetë taksat e rritura do të godisnin të pasurit dhe automatikisht do përkthehej në mirëqenie për të varfrit. Këtu gaboi Rama. Këtu gaboi shoqëria. Këtu po gabon sërish Rama e këtu po gabon sërish shoqëria. Pse?

 


 

E arsimuar dhe kulturuar në një sistem me mentalitet socialist shoqëria shqiptare pret që gjërat të ndodhin falas, që shteti të marr risk për ta dhe se të pasurit pasurohen gjithnjë në kurriz të të varfërve. Kjo qasje ndaj fenomeneve ekonomike e ka mbajtur peng zhvillimin e këtij vendi nën potencialin e saj real. Sot Shqipëria ka një rritje ekonomike 2.2%. Një shifër e cila nuk përkthehet në mirëqenie për të varfrit apo për shtresën e mesme në tërësi.
Të dhënat për nivelin e varfërisë nuk janë publikuar që nga viti 2012 nga Banka Botërore dhe kjo sjell një konfuzion se ç’po ndodh me të vërtetë me pabarazinë dhe varfërinë në vend. Por duke u bazuar në të dhënat e shkuara ne shohim që Shqipëria mundi të nxjerrë nga varfëria mbi 500.000 njerëz në vetëm gjashtë vite, 2002-2008, falë liberalizmit të tregut. Masat e ndërmarra nga qeveria Nano, me privatizimin e bankave, apo dhe të qeverisë Berisha, me thjeshtimin e taksave dhe me reformat probiznes, nuk synonin të ulnin direkt varfërinë. Përkundrazi, ata kërkonin të rrisnin mundësinë e tregut për të përmirësuar mundësitë e gjithsecilit për t’u zhvilluar e investuar. Si rezultat Shqipëria pati rritje ekonomike mbi 7% për këto vite duke bërë shumë njerëz të pasur e duke ulur varfërinë.

Sot kur rritja ekonomike është e ulët dhe kur më shumë se kurrë duhen politika probiznes populli kërkon të kundërtën. Të penalizohen të pasurit dhe të shtetëzohen shumë industri në vend. Ajo çfarë dihet është se po i le qeverisë në dorë më shumë pushtet e më shumë financa ajo nuk përkthehet në më shumë mirëqenie për qytetarët. Për një periudhë pesëvjeçare, në argumentin e luftës ndaj pabarazisë, Shqipëria ka njohur vetëm rritje taksash, por jo rritje pagash që e ka bërë koston reale të jetesës më të shtrenjtë. Nga ana tjetër për shkak të një reforme të filluar nga Ministria e Mirëqenies Sociale mbi 26.000 familje janë përjashtuar nga ndihma ekonomike në 3 vitet e fundit ose mbi 97.000 njerëz. Kjo shifër është shqetësuese dhe vërteton faktin se partitë kur janë në opozitë bëjnë populistin e sapo vijnë në pushtet marrin vendime të gabuara ekonomike e më pas kur përballen me realitetin nuk e kanë problem as të përjashtojnë 100.000 njerëz nga ndihma ekonomike. E kjo është e gabuar.

Ajo çfarë duhet të dimë është se ekonomia nuk është kontabilitet dhe as matematikë e thjeshtë. Çfarë ka ndodhur me shumë ministra Financash, të paktën në qeverisjen e majtë? Kanë bërë një përllogaritje të thjeshtë me laps a stilolaps, se po të rritet kjo taksë akcize apo atë progresive, do të marrim kaq të ardhura më shumë. Por, ekonomia është filozofi në radhë të parë dhe mënyrë e të menduarit sesi do të organizojmë shoqërinë. Shqipëria ka jo më shumë se 18 mijë persona, që paguhen me më shumë se 1.000 euro në muaj. Këta janë të vetmit sot që paguajnë taksimin 23% dhe janë njerëzit më të kualifikuar, ata që punojnë në sistemin bankar, e që janë kapitali njerëzor më produktiv i ekonomisë. Nga ana tjetër në tërësi ekonomia jonë ka kapitalin më të keq njerëzor në Europë. Qeveria Rama mendoi se është e drejtë që ata që kanë shpenzuar më shumë kohë e mund për të përmirësuar veten duhet të kenë më pak të ardhura për të krijuar barazi. Kjo është edhe shtresa më e penalizuar, e cila mban të gjithë shoqërinë në lëvizje. Ndaj nuk është çudi përse ata po largohen nga Shqipëria sot. Shqipëria është shumë e varfër dhe po pretendohet se po u merret pasuria 18 mijë njerëzve për t’ua rishpërndarë një milion të tjerëve këtu do të kemi drejtësi dhe mirëqenie. E njëjta gjë do të ndodhë dhe në rast se do fillojmë të penalizojmë bizneset e mëdha në vend për të arritur barazi sociale në të ardhmen … shumë prej tyre do largohen e të varfrit do varfërohen me shumë.

Ndaj qeveritë që duan të vijnë në pushtet duhet të thyejnë një barrierë intelektuale dhe të mos merren me të pasurit si problemin e shoqërisë shqiptare, por duhet të merren me mungesën e politikave protreg e pro konkurrencë. Vetëm me politika të konkurrencës së lirë do të kemi mirëqenie për të gjithë ashtu siç ndodhi në vitet 2002-2008. Ndërkohë qeveria Rama kërkon të rrisë fondin e solidaritetit, të rrisë taksat, të rrisë presionet tatimore, e të shtojë rregulla në emër të një shteti të fortë që do të kujdeset më pas për të varfrit. Kjo nuk funksionon. Sot në pushtet, në kushtet e një vakumi mirëfilli ideologjik, në të gjitha krahët e politikës, Kryeministri Rama pretendon të zgjidh diskutimin populist mbi pabarazinë me një masë po ashtu populiste.

Populistët jashtë sistemit e gjejnë lehtë fajin e varfërimit të Shqipërisë… ajo vjen nga pabarazia ku të pasurit po ia marrin pasurinë të varfërve. Kjo qasje është e gabuar dhe gjasat janë që duke u marrë me të pasurit ne do ta varfërojmë akoma më shumë vendin. Një mendimtar liberal Amerikan thoshte se: “pyetja që duhet të bëjmë nuk është përse ka të varfër, sepse e tillë ka qenë ndër shekuj gjendja e njerëzimit, por përse kemi të pasur e si ti shtojmë ata”./GSH

 

Share: