Në 4 vitet e fundit eksportet bujqësore janë dyfishuar, ndërsa vetëm në vitin 2018 kishim 300 milionë dollarë eksporte bujqësore”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke folur edhe për rëndësinë e Universitetit Bujqësor të Tiranës në hartimin e politikave në mbështetje të bujqësisë.
Duke folur për projektin “100 fshatrat”, Rama tha se “ajo për të cilën kemi nevojë për zhvillimin e qëndrueshëm rural është dija”.
Na duhet një nivel i ri dijesh, tha Kryeministri duke sjellë si shembull faktin se “Shqipëria ka akses për herë të parë në fondet e Komisionit Europian për zhvillimin bujqësor dhe rural dhe ka në dispozicion volumin më të madh financiar në mbështetje të bujqësisë”.
“Por për t’i marrë dhe kthyer në investime konkrete në territor duhet dija. BE nuk është një bankomat, por është një organizëm me kapacitete të mëdha financuese që nuk lëshon një qindarkë nëse nuk ka para një projekt bindës, të besueshëm dhe konkurues”, tha Rama.
Ndaj, tha Kryeministri, duhet të fokusohemi tek ajo që kemi dhe ajo që duam të sjellim nesër. “Sot është një ditë e mirë për Universitetin, bujqësinë dhe zhvillimin rural sepse hedhim farën e një zhvillimi të ri të shumëpritur dhe të domosdoshëm për shkencën në këtë universitet jetik për të çuar në një nivel tjetër bujqësinë dhe zhvillimin rural në Shqipëri”, tha Rama.