Pak ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që shpëtoi nga burgu përjetë Dritan Dajtin, një tjetër hap është hedhur nga akuza.
Prokuroria e Apelit për Krime të Rënda iu drejtua me rekurs Gjykatës së Lartë të cilës i kërkon prishjen e vendimit të Apelit dhe rikthimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili akuzohet për vrasjen e 4 oficerëve të policisë në 2009 në Durrës.
Dajti pas një kalvari 10-vjeçar përballjeje me drejtësinë, përfundimisht u dënua me 25 vite burgim për shkak se Apeli i Krimeve të Rënda pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar.
Pas vendimit që u konsiderua skandal, prokuroria nisi hetimet për 3 nga 5 gjyqtarët e çështjes “Dajti”, me vendim gjykate u ushtrua kontroll në banesat e gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli. Në banesën e Daminit u gjetën 17 mijë euro dhe disa fishekë. Lidhur me paratë gjyqtari pretendon se i përkasin të birit dhe i është drejtuar gjykatës me kërkesën për kthimin e tyre.
Njëherazi prokuroria ka sekuestruar telefonat celularë të 3 gjyqtarëve dhe i ka dërguar ato për ekspertizë me qëllim zbulimin e kontakteve që mund të kenë patur ata me persona të njohur me Dajtin që mund të kenë ndikuar.
Në kuadër të hetimit, prokuroria ka sekuestruar edhe librat e hyrje-daljeve në paraburgim, duke listuar emrat e personave që janë takuar me Dritan Dajtin, të cilët pritet të merren në pyetje. Pas kalvarit në gjatë të përballjes me drejtësinë, Dajti ia doli të hiqte nga supet burgimin e përjetshëm dhe përfundimiisht u dënua me 25 vite burgim, për atë që u konsiderua si masakra e Durrësit.