Dhuna ndaj grave dominon, sipas OSBE-së, shoqëritë në Shqipëri e Kosovë. Një studim i realizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në kontinentin e vjetër ka dalë në përfundimin se 16 milionë gra në rajonin e Europës Juglindore kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës gjatë jetës së tyre nga mosha 15-vjeçare.
Raporti është hartuar pas sondazheve të realizuara me femra nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Moldavia, Serbia, Shqipëria dhe Ukraina. Gjatë vitit 2018, u intervistuan 15 179 gra të perzgjedhura rastësisht me qëllim gjetjen e “natyrës së dhunës ndaj grave si dhe qëndrimin e tyre ndaj raportimit të dhunës”.
“Më shumë se dy të tretat e grave që jetojnë në rajon mendojnë se dhuna është bërë pjesë e përditshmërisë në vendet e tyre, ndërsa një e pesta mendojnë se dhuna është shumë e zakonshme”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger, i cituar nga “Deutsche Ëelle”.
“Këto janë fakte të papranueshme si nga aspekti human ashtu edhe nga aspekti i sigurisë dhe stabilitetit, por edhe nga aspekti socio- ekonomik”, ka shtuar ai.
Përsa i përket ndërhyrjes nga jashtë në familje në rast dhune, 62% e grave të anketuara të Kosovës kanë thënë se të tjerët duhet të ndërhyjnë, në Shqipëri ky numër është 56%. Sipas raportit, femrat viktima që janë edhe të fajësuara për dhunën, mendojnë se gratë duhet të urdhërohen nga burrat dhe se dhuna familjare duhet të jetë çështje private.
Studimi vëren me shqetësim se besimi në nënshtrimin e gruas dhe heshtja e rrethit vazhdon të dominojë në rajon dhe gratë me një besim të tillë janë edhe viktimat më të shpeshta./tch