Mësuesi i rrezikuar

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

Sot është dita e mësuesit, them me vete dhe befas më shkon në mend se shumica e mësuesve të mi nuk janë më. Përmbushën ciklin e jetës dhe ikën në…

‘Ikën në amëshim’ bëj të them, por bindjet prej agnostiku përzenë amëshimin, nga që s’e kam provuar dhe dyshoj se ekziston. Më nxisin që pozitivitetin ta mishëroj në diçka tokësore e të njëmendtë. Vërtetë mësuesit ikën, më pëshpërit agnostiku, por gjallojnë në kujtimet e tua dhe të mijra nxënësve të tjerë.

Pak me vonesë pikas që situata është bërë disi komike. Duke iu ruajtur klishesë ‘ikën në amëshim’, vij tek klisheja tjetër, mbase më e çngjyrosur: rrojnë në zemrat tona.

2.

Komizmi i situatës vete e nxjerr nga skutat e kujtesës imazhet groteske të mësuesve tek ‘Amarcord’ i Felinit. Të gjithë, duke nisur nga drejtori i shkollës, aq formal e i fryrë, e duke ardhur tek mësuesi miop i fesë, shfaqen qesharakë e të karikaturizuar.

Si të mos mjaftonte Felini, kujtoj se qasje të përafërt aplikon edhe Kadareja me figurat episodike të disa mësuesve tek ‘Kronikë në gur’ apo ‘Koha e shkrimeve’. Mësuesi Qani psh shfaqet në kufijtë e sipërm të groteskut kur macja ngrihet nga tavolina e eksperimentit dhe, me rropullitë që i varen, ia ther vrapit.

Edhe Felini, edhe Kadareja duket se nuk e kanë aq me mësuesit sa me pedantizmin dhe sidomos me autoritarizmin e epokave përkatëse.

Jo vetëm kaq. Edhe tek Felini, edhe tek Kadareja, komizmi që buron nga këta mësues groteskë, bashkohet me humorin që gjenerojnë shejtanllëqet e nxënësve. Krijohet kështu një rrjedhë komike që sfumon  rrezikun e sentimentalizmit, rrezik që fshihet pas çdo kthese në veprat autobiografike me kujtime nga femijëria.

Të qenët pedant e qesharak është vetëm një nga rreziqet që e ka kanosur imazhin e mësuesit tradicionalisht.

Gjithsesi ky rrezik kishte krijuar natyrshëm antidotin e vet. Sa më shumë kalonin vitet, sa më shumë njeriu largohej nga adoleshenca dhe ngjitej në katet e sipërme të moshës, aq më shumë shtoheshin notat e dashurisë dhe të vlerësimit për mësuesit e dikurshëm.

3.

Sot, në epokën e internetit dhe të masmediave, imazhi i mësuesit përballet me rreziqe të tjera, rreziqe që synojnë ta godasin në dy veprimtaritë më thelbësore: dhenien e dijeve dhe rrezatimin moral.

Dy dekada të shkuara, kur u njoha me videolojën  ‘Civilizimet’, m’u kujtua mësuesi i historisë antike në klasën e pestë. Më pat bërë për vete me emocionet që përcillte, ndërsa rrëfente mitet greke e romake. Gjallonte tek ai mësues edhe njeriu i dijeve, edhe narratori që bënte bashkë gjyshen me aktorin, klasën me skenën dhe vatrën.

Por videoloja bëri që kjo mësuesi i dashur, i zbritur nga mjergullat nostalgjike të adoleshencës, të çvleftësohej dhe të më ngjante modest e i varfër. Videoloja përcillte njohuri solide e sistematike për progresin njerëzor dhe gjithë këtë e arrinte duke të krijuar iluzionin se ishe mbret a strateg.

Funksioni dijedhenës i mësuesit sfidohet sot seriozisht jo vetëm nga videolojrat por nga të gjitha asetet multimediale të internetit. Për më tepër se fëmijët, krahasuar me mësuesit, familjarizohen shumë më shpejtë, shumë më lehtë e më natyrshëm me kompjuterin, tabletin a smartphon-in, duke kaluar minumi një hap para mësuesit.

Është kjo një sfidë trallisëse, por gjithsesi e përballueshme. Mësuesi i sotëm e i nesërm, po bëhet e do të jetë jo aq përcjellës dijesh se sa tutor, që u mëson nxënësve si ta seleksionojnë informacionin dhe si ta shoshisin në filtrat e të menduarit kritik.

4.

Sfida që krijon interneti për mësuesin dhe mësuesinë është globale, por mësuesi shqiptar, mbase më shumë se ai i vendeve të zhvilluara, përballet edhe me një sfidë tjetër, zgjidhjen e së cilës duket se nuk e ka në dorë.

Në shoqërinë tradicionale mësuesi ishte pjesë e elitave lokale. I shkolluar e i ditur, çmohej e respektohej nga bashkësia që, në një pjesë të konsiderueshme ishte me arsim bazik apo edhe analfabete. Figura e mësuesit e vlerësuar nga gjithë bashkësia shtonte vlerat ndikuese dhe synonte të bëhej model.

Modelet e shoqërisë së sotme duket se nuk janë më mësuesit, intelektualët, shkencëtarët etj. por politikanët dhe artistët. Kur thua artistët, nuk ke parasysh kompozitorët, piktorët, skulptorët, regjizorët por kryesisht aktorët dhe këngëtarët, mundësisht këngëtarët e tallavasë.

Është kjo një vendosje kokëposhtë e piramidës së vlerave, po ç’ti bësh, masmediat nuk bëjnë dot pa interes e pa klikime.

Figura e mësuesit, që do të bëhej model e do të rrezatonte tek fëmijët dhe më gjerë, rrezikohet edhe nga një cen tjetër i mediave, cen që përmblidhet në moton ‘lajm i mirë është lajmi i keq’.

Mësuesit, të shtyrë në periferinë e hapësirës mediatike nga politikanët, artistët e tallavasë etj., dalin në lajme dhe tërheqin vemendjen e publikut vetëm kur ndonjëri prej tyre kryen veprime skandaloze. Rrjedhimisht mësuesi që shfaqet rëndom në mediat tona nuk është edukatori, qytetari që punon me pasion paçka se paguhet keq,  por perversi që ngacmon seksualisht nxënëset, xhambazi që kërkon pare në këmbim të notës a të kurseve private etj. etj.

Duke krijuar e popullarizuar një model të tillë delikuent e përdhosës për mësuesin, sfumojmë punën fisnike të një armate të tërë, madje e godasim mësuesin në një vlerë thelbësore. Mbase në vlerën më të rendësishme, rrezatimin moral. Personaliteti i mësuesit, thoshte një psikiatër i famshëm, vlen më shumë se sa dijet që ai jep.

Share: