Nuk e kam të lehtë të ndahem prej librave dhe, nëse po e lexoni këtë artikull, ndoshta kjo gjë iu ndodh edhe ju. Siç thotë Summer Brennan “çfarë lloj i degjeneruari dëshiron vetëm të ketë 30 libra (ose më pak) në të njëjtën kohë, qëllimisht?” Askush që unë njoh. Por, me sa duket, iu duhet të keni vetëm një mijë libra për t’u konsideruar si koleksionues librash. Shifër pak e ulët, për të qenë i sinqertë, nëse nuk po flasim për një mijë libra të vendosur në një dhomë gjumi në New York City, rast në të cilin, të falet.
Në përgjithësi, unë jam i interesuar në koleksionet e librave të të tjerëve. Sa libra kanë, cilët, si mbahen, ku mbahen? Pra, në një pasdite me shi, fillova të kërkoj rreth koleksioneve të librave të njerëzve të famshëm, për të parë se cilët konsideroheshin koleksionistë të librave. Disa prej rezultateve më surprizuan – megjithëse e pranoj që tashmë kisha dijeni për Karl Lagerfeld.
Sigurisht, që kjo listë nuk është aspak shkencore apo përfundimtare – pa dyshim që ka shumë njerëz të tjerë të famshëm me biblioteka të mëdha (me të ardhura të mjaftueshme dhe me shumë hapësirë që ua mundësojnë këtë), por as shifrat aktuale nuk janë dokumentuar kurrë, ose unë thjesht nuk kam mundur të gërmoj më shumë për to. Të famshmit që nuk janë bërë pjesë e listës janë Marilyn Monroe (400 libra), George Washington (1,200 libra), Charles Darwin (1,480 libra), Oprah (1,500 libra), Frederick Douglass (2,000 libra), dhe David Markson (2,500 libra).
Karl Lagerfeld: 300,000 libra
Karl Lagerfeld ka më shumë libra se shumëkush. Në Festivalin Ndërkombëtar të Modës dhe Fotografisë në vitin 2015, Lagerfeld shpjegoi: “Sot mbledh vetëm libra; nuk ka vend në dhomë për të tjera gjëra. Nëse do të vini në shtëpinë time, do të jeni të rrethuar vetëm me libra. Kam arritur të kem një bibliotekë me 300,000 të tillë. Janë shumë për një person të vetëm”. Kjo nuk është një shaka. Koleksioni i tij përfshin libra në frëngjisht, anglisht dhe gjermanisht, dhe për të krijuar sa më shumë hapësirë në shtëpinë e tij për të gjitha vëllimet, ai i pozicionon librat e tij horizontalisht, në vend të vertikalisht. Oh, ka dhe një shkallë spirale për të arritur librat në lartësi. Ky është Lagerfeld, në fund të fundit.
George Lucas: më shumë se 27,000 libra
Në vitin 1978, George Lucas krijoi Bibliotekën “Lucasfilm Research” – fillimisht mblidhte vëllime në zyrën e tij në Los Anxhelos dhe përfundimisht e transferoi bibliotekën në shtëpinë e tij në Skywalker Ranch. Përveç më shumë se 27.000 librave, koleksioni përfshin mbi 17.000 filma, si dhe fotografi, botime periodike, copa shkrimesh të botuara dhe shumë të tjera. Biblioteka e Lucas nuk është e hapur për publikun, por vetëm për punonjësit e tij, si dhe për mysafirë të veçantë si Cecil B. DeMille, Alfred Hitchcock, Cary Grant, Clint Eastwood, Steve Martin, Edith Head dhe Charlton Heston.
Jay Walker: 20,000 libra
Pra, Jay Walker mund ta konsiderosh thjesht një person të famshëm nëse je i painformuar, mendoj. Ai është sipërmarrësi që themeloi Priceline.com, por për mua të paktën, është me të vërtetë i famshëm për shkak të bibliotekës personale: në krah të shtëpisë së Ridgefield, në Connecticut, që ai e quan “Biblioteka e Historisë së Imagjinatës së Njeriut”. Është thellësisht pretencioz, e di, por vetëm shikoni: ka tre nivele, një urë xhami, platforma lëvizëse dhe po, shumë libra.
Michael Jackson: më shumë se 10,000 libra
Mbreti i pop-it ishte gjithashtu Mbreti i Librave. Gjatë jetës së tij, Michael Jackson ishte një klient i rregullt në libraritë lokale në Los Anxhelos, duke përfshirë “Book Soup” dhe “Skylight”. “Ai e donte seksionin e poezisë”, thotë Dave Dutton, pronar i “Dutton’s Books” në Brentwood. Ralph Waldo Emerson ishte i preferuari i tij. “Ylli i pop-it kishte 10,000 libra në Ranch Neverland. Aty kishte vende që ai pëlqente të ulej dhe të lexonte, dhe ti mund t’i shihje librat me letrat e tij të shënimeve. Dhe unë mund t’ju them se nga bisedat me të- sidomos për dikë që ishte i “vetë-mësuar”, si ai, dhe kishte listën e tij të leximit – kam kuptuar se ai ishte njeri shumë i lexuar”, shprehet avokati i Jackson, Bob Sanger, për “LA Weekly”.
Ernest Hemingway: më shumë se 9,000 libra
Sipas librit të Debra A. Moddelmog dhe Suzanne del Gizzo, “Hemingway në kontekst”, shkrimtari mbante një bibliotekë me vete kudo që shkonte dhe vazhdimisht blinte libra të rinj, deri në 150-200 në vit. Deri në ditën e vdekjes, biblioteka e tij “Finca Vigía” kishte rreth 9,000 vëllime, të cilët nuk përfshinin librat që la në Key West (ai u zhvendos me vetëm rreth 800 libra). Ndoshta, jo e habitshme, por gjithsesi mbresëlënëse.
William Randolph Hearst: më shumë se 7,000 libra
Hearst kishte dy biblioteka në kështjellën e tij “Ken Dream House” – biblioteka kryesore, e cila përmbante 4.000 vëllime, dhe studimi gotik, i cili përbëhej nga 3.000 libra. Dukej se nuk kishte hapësirë të mjaftueshme për të gjithë librat e tij dhe ai i vinte ata kudo që mund të gjente vend.
Thomas Jefferson: 6,487 libra
“Unë nuk mund të jetoj pa libra,” ka qënë shprehja e famshme e Thomas Jefferson. Sipas Bibliotekës së Kongresit, kur britanikët dogjën kryeqytetin në vitin 1814, Jefferson kishte ndërtuar bibliotekën më të madhe personale në Shtetet e Bashkuara, të cilën më pas ia shiti Kongresit për 23,950 dollarë. Pas kësaj, ai menjëherë filloi të mblidhte përsëri libra (dhe e shiti edhe koleksionin e ri për të paguar borxhet në vitin 1829).
Nigella Lawson: 6,000 libra
Autorja e recetave të gatimit, personazhi televiziv dhe kuzhinierja e jashtëzakonshme, Nigella Lawson është fotografuar në shtëpinë e saj në Belgravia të Londrës, para grumbujve të librave në dysheme, dhe rafteve që arrinin deri në tavan, të mbushur me mijëra libra gatimi. Nuk ishin vetëm librat e gatimit që e bënë të njohur për listën e leximit, ajo gjithashtu ka edhe prirje letrare. Libri i saj i preferuar është “David Copperfield”.
Harry Houdini: më shumë se 5,000 libra
Kur Houdini vdiq, ai ia la bibliotekën e tij private me libra mbi magjinë, Teatrin dhe spiritualizmin, Bibliotekës së Kongresit. Disa burime pohojnë se në atë kohë, ai kishte koleksionin më të madh të librave mbi magjinë në botë.
Hannah Arendt: 4,000 libra
Koleksioni i Hannah Arendt, në Kolegjin Bard, përbëhet nga 4.000 vëllime, efemera dhe pamflete, duke përfshirë edhe më shumë se 900 shënime të saj – që vinin drejtpërdrejt nga apartamenti i saj në Nju Jork, ku ajo jetonte deri sa vdiq në vitin 1975. Unë shpresoj të ishte më i madh se një dhomë gjumi. (Për shumë arsye, 4,000 duket si një numër me fat për bibliotekat e librave letrarë – shkrimtarë të tjerë që kishin shumë libra të tillë në koleksionet e tyre private përfshijnë Virginia Woolf dhe Katherine Anne Porter).