OKB: Një viktimë çdo 5 sekonda në botë nga ndotja e ajrit

Aktualitet Sociale

Çdo 5 sekonda një person humb jetën për shkak të ekspozimit nga ndotja e ambientit. Çdo orë, raportohet se vdekjet janë më shumë se 700. Të dhënat e raportit vijnë nga eksperti i OKB-së për të drejtat e njeriut dhe ambientit, David Boyd, i cili ka nënvizuar se situata është e rëndë, pasi “njerëzimi është duke shkaktuar shfarojen e gjashtë masive në botë”.

Boyd, duke iu referuar Gjenevës mbi pasojat kryesore të ndryshimeve klimatike dhe rënien e biodiversitetit, për të nënvizuar rrezikun që na rrethon, kujtoi se “ai në të cilin jetojmë, sipas njohurive aktuale, është i vetmi planet ku jeta është e mundur”. Përkundër kësaj, njerëzimi po shkakton dëme të pariparueshme, më shqetësuese sesa ato të shkaktuara nga revolucioni industrial.

“Niveli i dioksinës në atmosferë, – theksoi ai, – ka arritur më shumë se 400 pjesë për milion, niveli më i lartë që prej 650 mijë vjetësh”. Kjo, shpjegon ai, do të shkaktojë një ndryshim të rrezikshëm dhe të paparashikueshëm klimatik. Normat e zhdukjes janë qindra herë më të larta se normale dhe tregojnë, sipas përfaqësuesit të OKB-së, “se qeniet njerëzore janë përgjegjëse për zhdukjen e gjashtë masive mbi 3.8 miliard vite jetë në këtë planet.

“Pasojat e këtyre kushteve klimatike janë pa apel, – shtoi ai, – duke qenë se 90% e popullsisë së botës është e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit: ajri i ndotur shkakton shtatë milionë vdekje të parakohshme çdo vit në botë, nga të cilat 600 mijë fëmijë pesëvjeçarë ose më pak, më shumë viktima se sa luftërat, vret, tuberkulozi, AIDS dhe malaria të kombinuara.

Eksperti i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut dhe mjedisin gjithashtu theksoi se dihet që ndotja shkakton sëmundje respiratore, astma, kancer të mushkërive, problemet e lindjes dhe çrregullimet neurologjike. Ajo që është më pak e konsideruar, është fakti se këto rreziqe nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë: “Njerëzit më të prekshëm si fëmijët, të moshuarit, komunitetet indigjene ose gratë vuajnë nga nivele më të larta të ekspozimit ndaj ndotjes”. “Dhe shumica e vdekjeve, – shtoi ai, – janë të regjistruara në vendet me të ardhura të ulëta dhe të moderuara”.

Prandaj, sipas ekspertit të OKB-së “nuk ka dyshim se cilësia e keqe e ajrit shkel shumë të drejta themelore, për shembull atë të çdo qenieje njerëzore për të marrë ajër të pastër”. “OKB, prandaj, – vazhdoi ai, – duhet ta njohë të drejtën e njeriut në një mjedis të sigurt, të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm dhe shtetet kanë detyrimin për të mbrojtur të drejtat e njeriut nga dëmet mjedisore”.

Së fundi, David Boyd tregoi shtatë masa kryesore që shtetet duhet të aplikojnë për të përmbushur detyrimin për të siguruar një mjedis të shëndetshëm. “Ata duhet të monitorojnë cilësinë e ajrit, – tha ai, – të identifikojnë shkaqet e ndotjes, të informojnë banorët dhe t’i përfshijnë ato në proceset vendimmarrëse mbi këtë temë, të shpallin rregulla që përcaktojnë kufijtë e qartë kundër ndotjes së ajrit, të hartojnë plane veprimi kundër këtij rreziku serioz dhe të sigurojnë fonde adekuate për zbatimin e këtyre planeve kundër ndotjes dhe së fundi të vlerësojnë progresin në këtë fushë”.

Share: