Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë një federatë prej 7 emiratesh, por të bashkuar në një entitet të vetëm shtetëror, ku më të rëndësishmit e të cilëve janë ato të Abu Dhabi (kryeqendra e të cilës është edhe kryeqyteti) dhe Dubai. Pavarësisht se mbulojnë një sipërfaqe të kufizuar të Gadishullit Arabik (83600 kilometra katrore), përfaqësojnë një realitet domethënës të rajonit, si nga pikëpamja ekonomike, për shkak të vendburimeve të pasura të naftës e gazit, ashtu edhe nga pikëpamja strategjike, pasi ndodhen pranë Ngushticës së Hormuzit (që kontrollohet nga Irani), ku edhe kalon pjesa më e madhe e tregtisë në hyrje dhe në dalje nga Gjiri Persik. EBA-ja paraqitet si një vend shumë modern, në pararojë në sisteme të ndryshme, por i populluar sidomos nga punëtorë të huaj (domethënë nga joshtetas) dhe nga turistë, që jetojnë në dy qytetet e mëdha të tyre. Në fakt, prapatoka nuk është gjë tjetër veçse një shkretëtirë rëre, në të cilën deri 50 vite më parë jetonin vetëm disa tribù beduinësh, që lëviznin në një territor të gjerë jo akoma e e delimituar politikisht. Falë resurseve të pafundme petrolifere, zhvillimit të ndërtimtarisë banesore dhe të sektorit financiar, EBA-ja prej disa vitesh ka nivele rritjeje dhe mirëqenieje shumë të larta, nga ana tjetër si edhe në emiratet e tjera të rajonit, domethënë fqinji Katar (raportet me të cilin kohët e fundit janë përkeqësuar) dhe Kuvajti. Për shkak të «vokacionit afarist» të tij, në aspektin tregtar dhhe financiar, EBA-ja ruan raporte miqësore me pothuajse të gjithë vendet arabe të rajonit (në mënyrë të veçantë me Arabinë Saudite, lidershipi politik i së cilës nuk vihet kurrë në diskutim), por edhe me fuqi të tjera perëndimore (si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian) dhe aziatike. Veç kësaj, është pjesë e organizatave të mëdha rajonale, si Lidhja Arabe dhe Këshilli për Bashkëpunimin e Gjirit, pavarësisht se në vitet e fundit, pas krizës së shpërthyer në qershorin e 2017 midis Arabisë Saudite dhe Katarit, ky organizëm i fundit ka hyrë në krizë.
Njëlloj si Katari dhe Bahreini, EBA-ja është bërë shtet i pavarur vetëm më 1971, kur Anglia është tërhequr nga rajoni, duke njohur pavarësinë e tyre politike. Kjo ka ndodhur falë dinamizmit të Sheikut Zayed bin Sultan al Nahyan të Abu Dhabi, që e ka qeverisur federatën deri në vdekjen e tij, e ndodhur më 2004, dhe që ka qenë i aftë ta bashkojë vendin nga pikëpamja politike dhe monetare. Në profilin institucional, secili prej emirateve ruan një pavarësi të konsiderueshme në kuadër si administrativ, ashtu edhe ekonomik. Organ qendror pushteti dhe rakordimesh midis njësive të ndryshme rajonale është Këshilli Suprem i Sovranëve, i përbërë nga 7 emirë, të cilët emërojnë Presidentin (që institucionalisht është Sheiku i Abu Dhabi) dhe Kryeministrin (që është Sheiku i Dubai). Veç kësaj, këta dy sheikë janë të vetmit që në Këshill kanë të drejtën e vetos për çështje politike të përbashkëta. Organi legjislativ është një Parlament njëdhomësh, e përbërë nga 40 anëtarë, gjysma e të cilëve zgjidhet nga popullit. Në fakt, ai ka funksione vetëm këshilluese. Kjo lloj federate monarkishë iluministe mbahet falë një përzierje të urtë liberalizmi ekonomik dhe inciativash kulturore më impakt të madh, si edhe falë një kontrolli të rreptë të lëvizjeve sociale dhe të opinionit publik. Kurse stabiliteti politik sigurohet nga vijueshmëria «dinastike» e drejtuesve. «Ata kanë arritur të ruajnë një menaxhim rigoroz të të ardhurave nga nafta dhe kanë nisur një diversifikim që ka mundësuar një zhvillim ekonomik që është në nivelet më të larta të botës».
Zhvillimi i madh ekonomik i Emirateve, që i detyrohet nxjerrjes dhe tregëtimit të hidrokarbureve, në dekadat e fundit ka tërhequr një sasi të konsiderueshme krahu pune të huaj – shpesh jo i kualifikuar – që ka katërfishuar npopullsinë vendase të vendit. Ajo përfaqëson rreth 88% të totalit të popullsisë rezidente (9 milion) dhe është e përqëndruar për më tepër në qytetet e mëdha, sidomos në kryeqytet dhe në Dubai. Punëtorët emigrantë vijnë sidomos nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Azisë, si India, Bangladeshi, Pakistani, Egjipti dhe Filipinet. Pjesa më e madhe e tyre është e besimit mysliman; kristianët duhet të jenë rreth 1.5 milion; sipas Imzot Paul Hinder, Vikari Apostolik i Arabisë Jugore me seli në Abu Dhabi, në Emirate jetojnë rreth 950000 katolikë, për më tepër të ardhur nga Filipinet dhe nga India, që përbëjnë 10% të popullsisë së përgjithshme. Ky dizekuilibër në kompozimin etnik të popullsisë u krijon sot jo pak probleme elitave në pushtet. Rënia demografike e qytetarëve emiratas rritet nga viti në vit: koeficenti i lindshmërisë është 1.77 fëmijë për grua, më e ulët se ai europian. Veç kësaj, stili i jetesës i gjeneratave të reja (në shije dhe në tendenca) është oksidentalizuar shumë, dhe islami (sunit) i praktikuar në vend nuk është i rreptë si ai saudit, megjithëse sheriati është «formalisht» një prej burimeve të së drejtës.
Respektivisht vendeve të tjera të Gjirit, në Emirate emigrantëve u njihet liria fetare dhe një barazi e caktuar gjinore. Nga këtu prania e kristianëve, që sot përbëjnë një fytyrë të re e të pazakontë respektivisht Arabisë Saudite dhe vendeve të tjera të Gjirit Persik. Një prani e mundësuar nga fenomeni i emigracionit. Nga pikëpamja sociale, problemi i vërtetë i EBA-së është ai i punëtorëve të huaj jo të kualifikuar, të cilët shpesh janë të privuar nga të drejtat themelore, pasi nuk ekzistojnë as sindikata të kategorisë, as formacione politike që promovojnë apo ruajnë interesat e tyre. Veç kësaj, ata janë të keqpaguar dhe, si në shumë vende edhe perëndimore, nuk u lejohet bashkimi familjar. Gjithashtu, edhe kur preken nga një sëmundje e rëndë – dhe e kushtueshme për arkat publike – përgjithësisht dërgohen në vendet e tyre të lindjes. Nganjëherë strehohen në «kampe speciale pune», domethënë në parafabrikate të ndërtuar me shumicë (domethënë të ekspozuar ndaj të nxehëtit mbytës të verës), ku shumë persona ndajnë të njëjtën dhomë. Në EBA nuk ka një sistem elektoral demokratik, nuk ka parti politike dhe mediat i nënshtrohen censurës shtetërore. Pas «pranverave arabe», shumë gazetarë që kërkonin liri më të madhe dhe pluralizëm politik janë arrestuar dhe disa testata janë mbyllur.
Ekonomia e Emirateve të Bashkuara Arabe
Emiratet janë midis prodhuesve kryesorë të naftës dhe gazit në botë. Ecuria e ekonomisë në këtë vend është e lidhur thelbësisht me atë të çmimit të naftës. Praktikisht, rënia e këtij të fundit në nivel global (ose reduktimet e imponuara nga OPEC-i, i të cilës Emiratet janë anëtarë) ka pasur në vitet e fundit një impakt negativ mbi ekonominë emiratase, duke e shtrënguar qeverinë qendrore që të vendosë taksa indirekte mbi mallrat (TVSH në masën 5%) dhe të bëjë shkurtime në disa sektorë të rëndësishëm si ai i welfare, duke goditur kështu klasat më pak të kamura të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, Emiratet kanë zgjedhur të nisin një proces diversifikimi ekonomik, me objektivin e uljes së varësisë nga nafta dhe gazi, duke e përshtatur edhe eksportimin e tyre me luhatjet e çmimeve ndërkombëtare të hidrokarbureve. Është filluar kështu të investohet në sektorë non-oil, të tilla si turizmi, financa, ndërtimtaria, energjitë e pastra, infrastrukturat e mëdha dhe të tërheqë në mënyra të ndryshme kapitale private. Rritja e konsumeve energjitike – sidomos në qytetet e mëdha – që është destinuar të rritet me kalimin e kohës, i ka shtyrë autoritetet që të zhvillojnë një program bërthamor civil. Duke filluar nga viti 2012, në bashkëpunim me konsorciumin koreanojugor Kepco, qeveria ka nisur ndërtimin e 4 centralëve bërthamorë të gjeneratës së fundit. Në realitet, midis 7 emirateve ekzistojnë diferenca të konsiderueshme nga pikëpamja ekonomike dhe, për pasojë, edhe në zgjedhjet e marra në këtë aspekt. Emirati i Abu Dhabi zotëron 94% të rezervave petrolifere ekzistuese në vend: një sasi që, sipas ekspertëve, do të garantonte për rreth një shekull potencialitetin nxjerrës të praktikuar aktualisht. Kjo perspektivë e ka frenuar nga bërja e ndryshimeve të natyrës ekonomike, siç ka ndodhur në fakt në emiratet e tjera. Rezervat e konsiderueshme në valutë të fortë që posedon – më sa duket, më të mëdhatë në botë – i kanë mundësuar në këto vite që të investojë në projekte të rëndësishme urbanistike e kulturore, si edhe në sektorin e infrastrukturave.
Emirati i Dubai, që posedon vetëm 4% të rezervave petrolifere, ka investuar në sektorë ekonomikë të ndryshëm nga ai i hidrokarbureve. Është transformuar në një prej hub-eve më të rëndësishëm tregtarë e financiarë të rajonit të Lindjes së Mesme. Investimet e mëdha në sektorin e shërbimeve dhe të turizmit në vitet e fundit kanë bërë që të rritet ndjeshëm vlera e pronësive imobiliare, «motori në kuptimin e vërtetë për rritjen e sektorit të ndërtimtarisë dhe, për pasojë, të një prej lokomotivave të emiratit». Ky emirat ka tejkaluar krizën e rëndë e «flluskës imobiliare» të dhjetorit 2009 – kur është manifestuar debitimi i madh i kompanisë Dubai World – falë shpëtimit të holding, të ndodhur nëpërmjet mbulimit financiar të dhënë bujarisht nga qeveria qendrore. Kolapsi financiar – që do të zgjerohej në sektorë të tjerë – është shmangur për të garantuar kapitalet e poseduara nga bankat dhe ruajtur kështu besimin e botës së financës dhe, jo e fundit, për të ruajtur reputacionin ndërkombëtar të qytetit, që me qiellgërvishtëset e larta të tij është ndër më modernet dhe më të vizituarit të botës.
Imazhi dhe ekonomia e tij janë rilançuar më 2013, kur Bureau International des Expositions e ka zgjedhur si seli të ekspozitës së ardhshme universale, Expo 2020. Pas tri votimesh, Dubai ka fituar ndaj qytetesh të tilla si San Paolo, Izmiri dhe Ekaterinburgu. Emiratet kanë mundur kështu konkurrencën e fuqive botërore si Brazili, Turqia dhe Rusia. Për këtë event parashikohet një investim publik prej 7 miliard dollarës, ndërsa 15 miliard do të duhet të vijnë, sipas parashikimeve më optimiste, nga investitorë privatë vendas dhe të huaj. Vlerësohet se ekspozita do të vizitohet nga rreth 20 milion turistë dhe do të punësojë 300000 persona. E gjitha kjo duhet të ndihmojë të lançohet Emirati i «qiellgërvishtëseve dhe i rërës» – dhe në përgjithësi EBA-ka – në skenën politike dhe ekonomike botërore. «Këto iniciativa [kulturore dhe të ndërtimtarisë] janë frut i një politike me vullnet të fortë, e mbështetur nga mjete financiare thuajse të pakufizuara, që kanë qëllim të mbrojnë kulturën, por edhe të diferencojnë jetën vendorë, me qëllim që mos të jetë e dominuar vetëm nga ekonomia. Abu Dhabi kosndierohet një pikë kontakti midis Lindjes dhe Perëndimit, një kryqëzim i themeluar gjithsesi mbi dijen dhe mbi arsimin».
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe politika ndërkombëtare
EBA-ja mban marrëdhënie mjaft të mira me pjesën më të madhe të vendeve arabe, por edhe me ato perëndimore e aziatike. Megjithëse nga pikëpamja e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderohet prej një kohe të gjatë si gur apo vasal i Arabisë Sauditë, kohët e fundit po shfaqet si një fuqi e pavarur ekonomike dhe ushtarake, që shihet me ndonjë dyshim nga aleati i tyre i fuqishëm. Përveçse në Gjirin e Adenit, në Bririn e Afrikës dhe në hyrjen e Detit të Kuq, Abu Dhabi synon që ta forcojë praninë e tij në Mesdheun lindor, duke u kthyer të investojë si në të kaluarën në Siri dhe duke vendosur raporte të mira me autoritetet politike libaneze. Analistët theksojnë se «për të bërë biznes mirë në Siri, duhet patur gjithmonë një apo më shumë këmbë në Libanin fqinj». Faktikisht, është në Bejrut që fuqitë e mëdha rajonale apo ndërkobëtare shpesh takohen për të diskutuar lidhur me problemet e Lindjes së Mesme. Por kjo «strategji politike ekspansioniste» emiratase në Mesdhe nuk është pëlqyer shumë as nga Izraeli, as nga Turqia, që mendojnë se ky rajon i përket zonave të tyre të influencës. Vendi me të cilin Emiratet kanë raportet më të tensionuara është Irani. Bëhet fjalë për një konflikt të lashtë, që kohët e fundit, për shkak të koniukturës politike të Lindjes së Mesme, është riashpërsuar. Tensionet midis Iranit dhe Emirateve i paraprijnë deri themelimit të federatës emiratase dhe kanë të bëjnë me kontrollin e 3 ishujve që ndodhen në Gjirin Persik: Abu Musa dhe dy ishujt Tumb, që duke filluar nga pushtimi ushtarak i tyre i dëshiruar nga Shahu Reza Palavi në nëntorin e 1971 janë akoma më duart iraniane.
EBA-ja e ka rivendikuar në të gjitha instancat ndërkombëtare – sidomos në Kombet e Bashkuara – sovranitetin e tij mbi to, duke i kërkuar Teheranit kthimin e tyre. Këto ishuj, të gjendur në afërsitë e Ngushticës së Hormuzit, kanë një pozicion të rëndësishëm strategjik për kontrollin e tregtisë në Gjirin Persik. Por ka qenë sidomos pas lindjes së Republikës Islamike të Iranit (1979) që monarkitë sunite të Gjirit – përfshi Emiratet – për të penguar prozelitizmin shiit në rajon, ju kundërvunë fuqimisht «regjimit revoluzionar e terrorist» të ri të ajatollahëve. Fillimisht mbështetën Saddam Hussein në luftën e përgjakshme midis Iranit dhe Irakut të periudhës 1980 – 1988, që nuk çoi në asnjë rezultat konkret. Në vitin 2002, kur shërbimet e inteligjencës të vendeve të ndryshme filluan të flasin për ekzistencën e një projekti bërthamor iranian, ata bënë presion mbi perëndimorët që ta izolonin dhe ndëshkonin Teheranin më sanksione ekonomike. Pas rënies së regjimit të Saddam Hussein në Irak në vitin 2003 nga dora e Shteteve të Bashkuara, frika, për më tepër e bazuar, e një rigjallërimi të avancimit shiit në rajon ka mobilizuar edhe një herë akoma monarkitë e Gjirit në funksion antiiranian. Kështu, nga viti 2000 e këtej Emiratet, dakord me monarkitë e Gjirit, kanë zhvilluar strategji politiko – ushtarake për të frenuar avancimin iranian në Lindje të Mesme.
Gjatë «pranverave arabe», Abu Dhabi ka mbështetur Emirin (sunit) të Bahreinit kundër ebelimeve të organizuara nga mazhoranca shiite e vendit. Emiratet i janë kundërvënë regjimit alawit e proshiit të Damaskut (por jo pa mbajtur parasysh interesat e veta ekonomike në rajon), duke i mbështetur financiarisht rebelët sunitë. Në vitin 2017 Arabia Saudite, Emiratet, Bahreini dhe Egjipti kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, i akuzuar se mbështeste Vëllazërinë Myslimane, e konsideruar organizatë terroriste, dhe të bënte biznes me Iranin, pavarësisht sanksioneve të vendosura Teheranit nga bashkësia ndërkombëtare lidhur me bërthamoren. Në fakt, të dy vendet menaxhojnë me marrëveshje të përbashkët një vendburim të rëndësishëm gazi në Gjirin Persik. Nga viti 2015, Emiratet janë të pranishëm edhe në Jemen përkrah aleatit saudit. Në këtë rajon luftojnë houthitë, që praktikojnë zaidizmin (degë heretike e shiizmit), pasi konsiderohen proiranianë dhe, për pasojë konsiderohen si «një kolonë e pestë e Teheranit» pranë ngushticës së Detit të Kuq.
Gjatë viteve fundit, Emiratet kanë fuqizuar edhe praninë ushtarake në disa vende të konsideruara si strategjike: ata kontrollojnë në fakt një bazë ushtarake në Assad të Eritresë, afër Ngushticës Bab al-Mandeb, e cila lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit. Ka mundësi, një gjë e tillë për të shmangur që Irani të mund të marrë kontrollin mbi të, që është me rëndësi të veçantë për rrugët tregtare që kalojnë aty. Instalime të tjera të kësaj natyre janë inauguruar në Somaliland e në Libi, në afërsitë e Tobrukut, nga ku Emiratet mbështesin Gjeneralin Khalifa Haftar kundër qeverisë së Tripolit, e njohur nga bashkësia ndërkombëtare.
Për ta fuqizuar këtë impenjim strategjiko – ushtarak, qeveria e Abu Dhabi «po modernizon industrinë e saj luftarake: para pak kohësh ka lidhur një marrëveshje me Rusinë për të zhvilluar gjeneratën e saj të 5-të të avionëve gjuajtës bombardues. Marrëveshje ka ardhur pas refuzimit amerikan për t’ua shitur avionët e tij F-35 vendeve të Gjirit, për të ruajtur superioritetin ushtarak të Izraelit në rajon». Por gjërat janë më komplekse nga sa duken dhe për Emiratet elementi politiko – ushtarak nuk është shkëputur asnjëherë nga ai ekonomik, që megjithatëka prioritet ndaj çdo gjëje tjetër. Pavarësisht rivalitetit të egër, midis Abu Dhabi dhe Teheranit ekzistojnë edhe pika kontakti. Në fakt, nuk duhet harruar se në Dubai jetojnë më shumë se 300000 iranianë, që zhvillojnë aktivitete financiare të rëndësishme për ekonominë e qytetit.
Sanksionet e fundit ekonomike e vendosura Iranit nga Trump do t’i dëmtojnë seriozisht aferat e Emiratit, portet e të cilit do të regjistrojnë një rënie të fortë të trafiqeve tregtare në favor të atyre të Omanit fqinj, që do t’i zbatojë sanksione në mënyrë më pak rigoroze dhe duke mbajtur parasysh parasëgjithash interesat e veta. Por nuk duhet harruar se bashkë me sauditët dhe izraelianët, Emiratet janë mbështetësit më të mëdhenj e linjës së vendosmërisë ndaj Iranit, duke ushtruar presion ndaj Shteteve të Bashkuara për zbatimin e sanksioneve të reja, aq sa lidhur me këtë është folur për një «trekëndëzim politiko – strategjik» (antiiranian) të lidhur midis Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, që deri pak kohë më parë konsiderohej si armiku numër një i fuqive sunite të Gjirit.
Por njëkohësisht kriza e fundit iraniane është ndjekur me një farë preokupimi nga EBA-ja. Në fakt, nëse Teherani do të vendoste të vazhdontë në rrugën e bërthamores dhe të rifillonte të pasuronte uranimu, në rastin më të keq, mund të arrihej në bombardimin e instalimeve bërthamore nga ana e Shteteve të Bashkuara apo Izraelit. «Në një rast të tillë, shkruan politologu Rachid Chaker, Irani ka kërcënuar se do bllokojë Ngushticën e Hormuzit, gjë që do të kishte pasoja të menjëhershme mbi eksportin petrolifer, domethënë mbi ekonominë, e Emirateve». Kështu, nëse nga njëra anë EBA-ja tenton që të frenojë ekspnsionin e frikshëm shiit në rajon e Lindjes së Mesme, nga njëra anë veprojnë në mënyrë të tillë që situata të mos percipitojë dhe, sidomos, që zgjatja e sanksioneve amerikane në perspektivë të mos i dëmtojë interesat e tyre ekonomike. Prandaj nuk do të ishin kundër faktit që një komision ndërkombëtar, ka mundësi me drejtim amerikan apo europian, të merrej me çështjet e ndryshme të debatuara (konflikte territoriale, bërthamore iraniane dhe të tjera).
Një tjetër front i nxehtë në të cilin Emiratet janë të pranishëm – jo aq për ushqimin e konfliktit, por për të investuar në rindërtim – është ai sirian. Një eksponent i lartë i regjimit financiar të EBA-së, Addel Jalil Bluki, disa muaj më parë ka shkuar në Damask për të takuar përfaqësuesit e holdingut më të rëndësishë sirian, Damascus Cham, i kontrolluar nja njerëz të afërt me al Assad. Fakti që mediat qeveritare i kanë dhënë shumë hapësirë takimit tregon se dëshirohet të jetë një sinjal hapjeje i regjimit ndaj Emirateve, domethënë ndaj atyre vendeve të Gjirit të konsideruar më të moderuar dhe më pak të rreshtuar ideologjikisht, megjithëse deri pak kohë më parë janë parë si mbështetës të frontit të «terrorizmit» të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Kjo mund të bëjë që Emiratet, për shkak të orientimit të tyre politiko – fetar më të moderuar se ai i Arabisë Saudite dhe të forcës së tyre të jashtëzakonshme financiare, të bëhen «një vend ndërmjetësimi dhe takimi». Këtu qëndron forca e vërtetë e vendit: aftësia e tij për të dialoguar me aktorë të ndryshëm politikë, si për shembull Damasku, Moska dhe Teherani. Domethënë, me fuqi ushtarakisht dhe ekonomikisht rivale, por në të njëjtën kohë të gatshëm për të kërkuar zgjidhje kompromisi apo konfrontimi të thjeshtë, megjithëse, siç është parë në rastin sirian, vetëm pë tema me karakter ekonomik dhe financiar, pa ceduar për çështje të rëndësishme të politikës ndërkombëtare. Tema për të cilat nganjëherë është e mundur të «tragetohen» perspektiva mirëkuptimi ose të avancohen rrugëtime, anipse jo gjithmonë linearë, paqëtimi. Civilta Cattolica/Bota.al