Gara për ajrin është ashpërsuar në vitin 2018. Italia vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut. Rritje të ndjeshme shënuan charter-at, të nxitur nga kthimi i Shqipërisë në destinacion të preferuar turistik dhe Londra e Budapesti, nga hyrja e linjave low cost…
Aeroporti i Rinasit po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen. Në 2018-n, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.
Tregu i fluturimeve është bërë më i ashpër në vitin 2018…
Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve.
Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”.
Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve.
Gara e kompanive ajrore
Pas falimentimit të Belle Air, në fund të vitit 2013, e cila zinte më shumë se 50% të tregut të fluturimeve ajrore me destinacionet direkte drejt Italisë, tregu është rikonfiguruar, por Italia vijon të mbetet destinacioni kryesor. Fillimisht ishte AlItalia, që operonte prej vitesh dhe Blue Panorama që hyri e re, të cilat zunë vendin e Belle Air dhe më pas hynë në treg Alba Wings dhe Fly Ernest.
Në fund të vitit 2018, sipas të dhënave nga TIA, Blue Panorama, kishte 24% të tregut total të fluturimeve, nga 29% vitin e mëparshëm. Pas saj, në vend të dytë ka kaluar Fly Ernest, me 13% të tregut (nga 6% në 2017-n). Në vend të tretë ka kaluar Alba Wings, me 10% të tregut, e cila ka menaxhim të njëjtë me Blue Panorama. Më pas renditet AlItalia, që një vit më parë ishte e dyta, me 9% të totalit. AlItalia ka humbur vazhdimisht terren dy vitet e fundit, pasi ka shkurtuar linjat direkte me disa qytete të Italisë, ndërsa destinacioni kryesor i saj tashmë është Roma, e cila shërben edhe për qëllime tranziti. Në vitin 2015, kjo kompani zinte 31% të tregut.
Ndërsa operatorët low cost kanë arritur të fitojnë terren në tregun e Italisë, këtë e kanë bërë në kurriz të cilësisë së shërbimit ndaj pasagjerëve. Të dhënat e Autoritetit të Aviacionit Civil bëjnë të ditur se kompania më problematike, me numrin më të lartë të anulimeve dhe vonesave të fluturimeve është Fly Ernest, e ndjekur nga Blue Panorama, Adria dhe Albawings.
Sa u përket vonesave të gjata, mbi 7 orë, problematike mbetet kompania Fly Ernest e ndjekur nga Blue Panorama. Nga të dhënat që na vijnë nga përgjegjësja e Sektorit për të Drejtat e Pasagjerit në AAC, znj. Enkela Hajderi, një aspekt problematik që lidhet me mosrespektimin e të drejtave të pasagjerëve është me kompaninë Fly Ernest, e cila ka një numër shumë të ulët të kompensimeve të pasagjerëve. Kompania që respekton më shumë pasagjerët në aspektin e kompensimeve është Blue Panorama, me rreth 500 të tilla. Ndërkohë, kompanitë më serioze që respektojnë oraret janë Turkish Airlines, Austrian Airlines, AlItalia, Lufthansa, British Airways, Aegean. Destinacionet drejt Italisë zinin 56% të tregut total të fluturimeve në vitin 2018, me një ulje të lehtë me 1 pikë përqindjeje në krahasim me një vit më parë.
Më pas renditet Turkish Airlines, që ka mbajtur peshën e pandryshuar të tregut në 7%. Në rënie të lehtë ishte Austrian Airlines, që ka zbritur me 2 pikë përqindjeje në 5% të tregut. Lista vijon me British Airways, me 4% të tregut (rritje me një pikë përqindje në krahasim me një vit më parë), po me nga 4% janë Aegean Airlines dhe Adria Airways dhe më pas me nga 3% secila, Wizz Air dhe Pegasus Airlines. Renditja mbyllet nga Lufthansa, Jetairfly, Air Serbia, me nga 2% dhe Transavia e Mistral Air me 1%. Fluturimet charter kanë transportuar 5% të totalit të pasagjerëve në 2018-n.
Destinacionet, kryeson Roma
Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
Destinacioni i dytë është Milano, me 283 mijë pasagjerë, me rritje 6% në raport me një vit më parë. I treti është Bergamo, me 143 mijë pasagjerë (rritje 15%).
Destinacionet italiane që kanë parë rritjen më të madhe të trafikut të pasagjerëve janë Verona dhe Bolonja, me nga rreth 20% secila, ndërsa më pak i preferuar për t’u arritur me avion ka qenë Bari, që ka parë rënie vjetore prej 35%. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.56 milionë në vitin 2018 (rritje 6%). Stambolli është në vend të tretë, me 264 mijë pasagjerë (12.5% rritje). Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht vendeve aziatike, por dhe destinacioneve të tjera të Europës dhe atyre të largëta.
Roma, e preferuara e shqiptarëve
Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
Vjena e ka humbur disi rëndësinë, si një nga pikat pika kryesore të kalimit drejt së gjithë Europës e jashtë saj. Në vitin 2018, nga dhe drejt Aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 168 mijë pasagjerë, duke shënuar për herë të parë rënie me rreth 4%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës për tranzite nga Lufthansa, apo Turkish Airlines. Pas operimit të dy linjave direkte British dhe Wizz Air, Londra është bërë një destinacion i preferuar, me 143 mijë pasagjerë në 2018-n, me një rritje prej 15.3%.
Nga dhe drejt Athinës kanë udhëtuar rreth 100 mijë pasagjerë, me një rritje të ndjeshme prej gati 20%. Nga dhe për në Budapest, nga ku filloi fluturimet Wizz Air në 2017-n, udhëtuan rreth 49 mijë pasagjerë një vit më parë, me një rritje prej 70%. Për shkak të biletave të lira, Budapesti është shndërruar në një destinacion të preferuar turistik për shqiptarët, duke qenë një nga më të kërkuarit për kalimin e natës së ndërrimit të viteve. Amsterdami, një destinacion i ri i nisur në 2017-n ka parë rritje të ndjeshme edhe në 2018-n, me 40 mijë pasagjerë, me rritje 44%.