Pas deklaratës së djeshme të Berlinit zyrtar për “djegien e mandateve” nga deputetët e opozitës shqiptare, Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës.
Ministria e Jashtme gjermane, në përgjigjen e saj, thotë se akuzat për zgjedhjet duhet të shqyrtohen nga drejtësia shqiptare.
“Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore“.